Shkrimtari grek Nikos Dimou analizon gjendjen e psikikës së vendit të tij, duke përshkruar edhe “frikën e thellë të shpirtit të torturuar grek”. Ai fajëson politikanët grekë për krizën aktuale, por ngulmon që BE-ja dhe Gjermania duhet të fajësojnë gjithashtu veten për faktin që shumë grekë ndihen të fyer.
37 vjet të shkuara Nikos Dimou, që tani është 76 vjeç, shkroi një libër aforizmash “Mizerja e të qenët grek”, i cili u botua në vitin 1975. Në libër ai shkruante se grekët bëjnë gjithçka për të zgjeruar dasinë mes dëshirës dhe realitetit. Ai e njeh botën greke duke qenë se është grek, por edhe atë gjermane, duke qenë se ka studiuar në Mynih.
Ju e keni studiuar shpirtin grek më shumë se çdokush ndër vite. Si po shkon sot ky shpirt grek?
Ndjenja mbizotëruese është ajo e paqartësisë. Grekët nuk ndihen më me vetëbesim, dhe kjo ka të bëjë pjesërisht edhe me historinë e tyre. Ata kanë vuajtur shumë, por paqartësia të çonte dhe në agresion. Ne grekëve na pëlqejnë historitë e komplotit, sepse ato të ndihmojnë që t’u japësh një shpjegim paqartësive që ke. Kjo është arsyeja se ne mendojmë jo vetëm me kokë dhe arsyen tonë, por edhe me emocione. Duhet të dini se edhe në botën e antikitetit egjiptianët u referoheshin grekëve duke i quajtur “fëmijë”. Por kjo lloj papjekurie ka edhe një lloj bukurie, apo jo.
A mendoni ju se historia e Greqisë vazhdon që të përcaktojë mënyrën e të sjellit të grekëve të sotëm, edhe gjatë krizës financiare që po përjeton vendi?
Po, pa dyshim. Grekët modernë do të vuajnë vazhdimisht nga fakti i arritjeve të grekëve të lashtë, çka është një fakt që as mund ta braktisim, e as anashkalojmë. Teoria ime është se grekët vuajtën një shok kulturor kur u katapultuan nga kushtet e feudalizmit në modernitet, pa pasur hapësirë ndërmjet në shekullin e 19. Duke qenë të ngecur diku mes Lindjes dhe Perëndimit, lavdia e dikurshme dhe varfëria e tanishme, mes ortodoksisë dhe iluminizmit, i ka lënë grekët pa dyshim me një problem identiteti. Kjo e bën edhe të tashmen të pavendosur dhe të paqartë. Ata gjithmonë ndihen të rrezikuar.
A mos vallë kjo do të thotë se grekët nuk kanë mbërritur kurrë tërësisht në Europë?
Grekët nuk kanë qenë të lirë për një kohë të gjatë. Së pari, ata ishin pjesë e një perandorie shumëkombëshe që fliste shumë gjuhë të ndryshme. Ata jetuan nën sundimin turk për 500 vjet. Më pas krejt papritur duhet që të bëheshin europianë dhe duhet që të importonin gjithë institucionet europiane në vendin e tyre. Rezultati është se edhe sot e kësaj dite grekët nuk kanë një marrëdhënie të mirë me qeveritë e tyre.
Dhe përse e gjithë kjo është kaq e rëndësishme?
Është e rëndësishme nëse doni të punoni së bashku me grekët ose të reformoni vendin e tyre. Më pas duhet të dini se sa thellë është ngulur frika në shpirtin grek. Unë besoj se këto frikëra shpërfaqen në situata krize të tilla si ajo në të cilën ndodhi. Më pas grekët, tradicionalisht janë shumë mikpritës, por befas nisin që ta shohin të huajin si armikun e tyre që ka ardhur për t’u vjedhur shpirtin.
A mendoni se kjo përzierje e paqartësive me agresionin që shkaktoi edhe rezultatet e zgjedhjeve të 6 majit është shkaku i votës që grekët dhanë kundër klasës së tyre politike?
Po, absolutisht. Por rezultatet kanë gjithashtu të bëjnë edhe me mënyrën se si grekët lejojnë daljen në sipërfaqe të ndjenjave të tyre në rastet e politikës. Le të marrim për shembull rastin e Alexis Tspiras, kreut të koalicionit të majtë Syriza. Ai është i ri, është i pashëm dhe optimist. Njerëzit mendojnë se nuk do t’u vijë asgjë e keqe prej tij, sepse ai shpreh shumë vetëbesim. Njëherazi të gjithë e dinë mirë se as ai dhe as dikush tjetër nuk mund të bëjnë magjira. E megjithatë ata e votojnë atë, duke u bazuar te ndjenjat. Unë shpresoj se zgjedhjet e ardhshme do të jenë më racionale.
Po, por për momentin nuk duket kështu.
Në zgjedhjet e majit, 35% e grekëve abstenuan dhe 19% e tyre votuan për partitë e vogla që nuk arritën të hyjnë në Parlament. Së bashku bëjnë 54%, votat e të cilëve nuk dihen. Besoj se populli im do të votojë më me gjakftohtësi tani. Tsipras do të fitojë vota, por jo mjaftueshëm për të formuar një qeveri. Më pas ne duhet që të bëjmë koalicion me partitë që janë pro BE-së, Demokracia e Re, PASOK dhe partitë e vogla.
A janë të ndërgjegjshëm njerëzit në Greqi se këto zgjedhje do të jenë në fakt edhe një referendum për euron?
Nëse nuk do të zbatojmë masat e shtrëngimit financiar, do të dalim nga euroja. Nuk mund të kemi njërën, pa pasur tjetrën. Shpresoj se shumë njerëz do të mendohen. Kjo nuk është më një zgjedhje mes së majtës, apo së djathtës, por mes euros dhe dhrahmisë. Nëse partitë do ta konsiderojnë në këtë mënyrë atëherë do t’i kishim tashmë rezultatet, sepse shumica e grekëve është pro euros. Për fat të keq, nga greqishtja vjen jo vetëm fjala demokraci, por edhe kaos.
Po për sa i përket fjalës “dilemma”?
Po. E gjitha kjo është shumë karakteristike për mentalitetin grek. Do të duhen breza që ta ndryshojnë. Shpresoj megjithatë se ne do të mbijetojmë nga kjo krizë me ndihmën e BE-së. Sigurisht që ka edhe një skenar tjetër që mund të luhet këtu, ai që gjithçka shembet dhe ne ta fillojmë nga e para.
A ju frikëson ky skenar?
Po. Kur pashë një titull në një revistë gjermane: “Adieu Acropolis”, u ndjeva sikur na kishin hedhur jashtë Europës. Ishte një shok. Unë mund të mos jem një shembull përfaqësues, por besoj se jam një europian, si dhe grekë të tjerë, një europian që vjen nga Greqia. Pasi pashë këtë titull të madh u ndjeva sikur isha në një anije dhe po më hidhnin me zor në det dhe Europa po zhdukej larg në horizont.
Mendoni se ishte e tepërt?
Ishte një titull brutal në një situatë shumë të ndjeshme. Ju e dini se Akropolis është diçka e shenjtë për grekët.
30 vjet më parë keni dhënë një intervistë, në të cilën thoshit se në momente të vështira grekët gjithmonë fajësojnë të tjerët dhe kurrë vetveten.
Kjo është ende e vërtetë. Kur u flet njerëzve këtu ata thonë se kjo Merkeli dhe ky ministri i Financave gjerman përse na e bëjnë këtë? Unë përgjigjem se ç’punë ka Merkeli me ne? Asnjë punë. Ne i krijuam borxhet dhe më pas i kërkuam ndihmë Europës. Ja përse jemi këtu.
Çfarë parashikoni për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vendin tuaj?
Nuk dua që të hedh një parashikim të kotë, por shpresoj shumë që ne të gjejmë një mënyrë për të dalë nga kjo situatë. Dalja e Greqisë nga eurozona do të jetë një goditje dhe jo vetëm për Greqinë. Së fundi Europa pa Greqinë do të jetë një Europë më e dobët, me një copë që do t’i mungojë. Unë përpiqem gjithmonë që t’u shpjegoj grekëve se pse nuk është në interes të tyre që të dalin nga euroja. Më shumë si një psikoanalist u këshilloj që pacienti grek duhet të jetë shumë racional këtë herë.
