Një analizë e thjeshtë gjaku mund të revolucionarizojë mënyrën se si vlerësohet plakja e organizmit.
Studiues të Universitetit të Stanfordit kanë zhvilluar një test eksperimental që llogarit moshën biologjike dhe jetëgjatësinë e 11 organeve kryesore të trupit, duke përfshirë trurin, zemrën, mushkëritë, mëlçinë dhe zorrët.
Testi mund të ndihmojë gjithashtu në parashikimin e rrezikut për zhvillimin e sëmundjeve brenda 10 viteve të ardhshme.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore “Nature Medicine”, u bazua në analizën e të dhënave të 44 498 personave të moshës nga 40 deri në 70 vjeç.
Të dhënat vijnë nga “UK Biobank”, një nga bazat më të mëdha të të dhënave gjenetike dhe shëndetësore në botë, e cila ka mbledhur mostra gjaku dhe informacione klinike të rreth 600 mijë individëve gjatë 17 viteve.
Shkencëtarët identifikuan afro 3 000 proteina në gjak, disa prej të cilave lidhen drejtpërdrejt me aktivitetin e organeve të veçanta.
Duke analizuar ndryshimet e këtyre proteinave sipas moshës dhe historisë mjekësore të pjesëmarrësve, ata arritën të përcaktojnë moshën biologjike të secilit organ dhe lidhjen e saj me sëmundje të ndryshme.
Rezultatet treguan se organet nuk plaken me të njëjtin ritëm. Disa individë kishin organe dukshëm më të vjetra ose më të reja se mosha e tyre kronologjike.
Sipas studiuesve, këto dallime mund të shërbejnë si sinjale të hershme për probleme shëndetësore që mund të shfaqen në të ardhmen.
Një nga zbulimet më interesante lidhet me trurin.
Sipas autorit të studimit, Tony Wyss-Coray, një tru biologjikisht më i vjetër shoqërohet me një rrezik më të lartë vdekshmërie, ndërsa një tru më i ri mund të jetë tregues i një jete më të gjatë dhe më të shëndetshme.
Megjithëse testi është ende në fazë eksperimentale, studiuesit besojnë se ai mund të dalë në treg brenda tre viteve të ardhshme, duke hapur rrugën për një epokë të re të mjekësisë parandaluese dhe monitorimit të personalizuar të shëndetit.
