Pavarësisht sa komod mund të jetë një hotel, një natë me zhurmë mund të mjaftojë për t’ju prishur gjithë qëndrimin. Zhurmat nga kondicioneri, ashensori, dhomat fqinje, korridoret apo rruga jashtë hotelit janë ndër problemet më të zakonshme me të cilat përballen udhëtarët.

Për Jason GaNun, i cili udhëton shpesh për punë, një udhëtim në Mississippi vitin e kaluar u shndërrua në një kërkim të pasuksesshëm për një dhomë të qetë. Në dhomën e parë, kondicioneri ishte jashtëzakonisht i zhurmshëm; në të dytën, zhurma e frigoriferit nuk e linte të flinte, ndërsa në të tretën, të ftuar të tjerë po zhvillonin një festë.

“Dëgjoja gjithçka që bënin”, tregoi ai.
Problemi nuk është i pazakontë. Sipas kompanisë ProStay, e cila merret me konsulencë dhe teknologji për hotelet, pas pastërtisë, zhurma është një nga shqetësimet kryesore të klientëve. Ndërsa gjumi po konsiderohet gjithnjë e më shumë si pjesë e rëndësishme e mirëqenies, udhëtarët kanë pritshmëri më të larta për cilësinë e pushimit gjatë qëndrimit në hotel.

Pse hotelet nuk arrijnë t’i izolojnë dhomat?

Sipas ekspertëve të hotelerisë dhe arkitekturës, problemi nis shpesh që në fazën e ndërtimit. Izolimi akustik kërkon materiale dhe zgjidhje të caktuara, ndërsa ndërtesat e vjetra janë ndërtuar shumë kohë përpara se këto standarde të merrnin rëndësi. Edhe ndërhyrjet në hotele më të reja mund të ndikojnë pa dashje në nivelin e izolimit ndaj zhurmës.

Një tjetër faktor është kostoja. Muret prej betoni, për shembull, izolojnë më mirë zhurmën sesa disa struktura me skelet metalik, por janë më të rënda, më të kushtueshme dhe kërkojnë më shumë kohë për t’u ndërtuar. Edhe ndërtimi i mureve të dyfishta, një tjetër mënyrë për të ndarë akustikisht dhomat, rrit kostot e ndërtimit.

Për më tepër, udhëtarët zakonisht nuk kanë mundësi të zgjedhin paraprakisht pozicionin e dhomës me të njëjtën lehtësi që zgjedhin vendin në avion. Nuk mund të shohin se cilat dhoma janë të zëna apo sa larg janë nga ashensori, korridori apo zona të tjera të zhurmshme.

Disa dhoma janë më të qeta se të tjerat

Zhurma nuk vjen gjithmonë nga brenda hotelit. Në qytetet e mëdha, sirenat, trafiku, muzika nga lokalet dhe aktiviteti i natës mund të dëgjohen edhe në dhomat që ndodhen në kate të larta.

Për këtë arsye, disa hotele kanë investuar në dritare me shumë xhama, perde që izolojnë dritën dhe zhurmën, si dhe shpërndajnë tapa për veshët apo maska gjumi. Megjithatë, asnjë hotel, sidomos në qendër të një qyteti të madh, nuk mund të eliminojë çdo tingull nga jashtë.

Edhe pozicioni i dhomës mund të bëjë diferencë. Dhomat pranë ashensorëve, në katet e para ose pranë ambienteve të përbashkëta mund të jenë më të ekspozuara ndaj zhurmës. 

Çfarë mund të bëni për të fjetur më mirë në hotel?

Nëse gjumi është prioritet, ekspertët sugjerojnë që kërkesa për një dhomë të qetë të bëhet që gjatë rezervimit ose në momentin e check-in. Mund të kërkoni një dhomë në kat më të lartë, larg ashensorit, në fund të korridorit ose në një pjesë më të qetë të hotelit.

Gjithsesi, zgjedhjet janë më të kufizuara kur hoteli është pothuajse plot. Një alternativë është të kërkoni paraprakisht informacion për nivelin e zhurmës së hotelit. Ekzistojnë edhe faqe të specializuara që vlerësojnë hotelet sipas qetësisë së tyre, duke marrë parasysh trafikun përreth, jetën e natës, izolimin e ndërtesës, cilësinë e dritareve dhe pozicionin e dhomave.

Por jo çdo problem zgjidhet vetëm duke zgjedhur dhomën e duhur. Udhëtimet ndryshojnë rutinën e përditshme, mund të shoqërohen me stres, qëndrime më të gjata jashtë dhe vakte të rënda para gjumit, të gjitha këto faktorë që mund të ndikojnë në cilësinë e gjumit.

Prandaj, përveç zgjedhjes së një dhome sa më të qetë, këshillohet ruajtja e një rutine të rregullt, ekspozimi ndaj dritës natyrale gjatë ditës dhe aktiviteti fizik. Një zgjidhje e thjeshtë mund të jenë edhe tapat e veshëve ose një pajisje që prodhon zhurmë të bardhë.