Po afrojnë dasmat e shumta dhe të shfrenuara të stinës së verës, nëse jeni ftuar vetëm, nuk keni arsye për t’u shqetësuar


Dasmat 



Ju duket vetja gjithnjë personi i tepërt mes bashkëshortëve të lumtur dhe tavolinave që janë projektuar për çifte? Jeni ai apo ajo, që lëkundet anë sallës së vallëzimit kur jepet një këngë romantike, personi që kur ngrihet një dolli, nuk di kujt t’ia drejtojë gotën? Mos u shqetësoni, të jesh beqar/e nuk është edhe aq keq, ndonjëherë këta ia kalojnë më mirë se të gjithë.


Dasmat janë fenomeni më i përhapur i stinës së verës, kjo për arsyet nga më të ndryshmet. Disa zgjedhin të martohen në verë për shkak të largësisë me familjen, të tjerëve u pëlqen moti i ngrohtë apo i duket më tundues muaji i mjaltit në vendet bregdetare me plazhin dhe rërën e ngrohtë.


Gjatë gjithë ditëve të cilat paraprijnë këtë ceremoni, sa hyjnore aq edhe të detajuar nga dora e njeriut, dilemat janë nga më të shumtat. “Çfarë të vesh?” është një nga pyetjet më të dëgjuara, kur vjen puna për të qenë i pranishëm në një ceremoni serioze dhe argëtuese. Nga ana tjetër mes shumë të ftuarve ka edhe nga ata që janë të pashoqëruar.


Përfundimisht ajo që mund t’ju vërë gishtin në plagë, është mendimi që shumë prej nesh do ta përjetojnë këtë verë dhe kurdo: “Si të shkoj në një dasmë vetëm?”


Festa dhe hareja që përfshin këdo aty pranë, janë një tundim për beqarët, të cilët ndonëse lumturisht vetëm, vihen para dyshimit të njohur: “të martohem, a të mos martohem edhe unë?”


Ja një listë e thjeshtë me fakte që do t’jua lehtësojnë eksperiencën tuaj gjatë një dasme ku jeni ftuar vetëm.


1. Qëndroni me grupin. Fakti që jeni të pashoqëruar nuk duhet të bëhet shkak për të kaluar keq, apo për të qëndruar vetëm. Nëse dëshironi të jeni në kontakt me festa të tjera, që do të bëhen së shpejti nga të pranishmit, duhet të qëndroni me grupin dhe të jeni të shoqërueshëm.


2. Hani. Mos i anashkaloni pjatat e menysë, është një mënyrë e mirë për të kaluar kohën. Duke qenë në kontakt me ushqimin, jo vetëm që gjendja juaj shpirtërore do të përmirësohet, por kështu do të keni mundësinë të jepni mendimin tuaj për shijet që po provoni. Sa për ëmbëlsirën, mos e ndaloni veten, ushqehuni dhe jini aktiv.


3. Ruani hapësirën tuaj. Edhe pse në të vërtetë jeni në kërkim të një kohe të bukur dhe shoqërore, mos u endni me këdo që ju del përpara. Zgjidhni një dhomë të mirë hoteli, krijoni hapësirat tuaja, konsiderojeni kohën që po kaloni si pushimet tuaja prej beqari. Me pak fjalë, shijojeni veten.


4. Dilni në fotografi. Ju jeni pjesë e kësaj ceremonie dhe këtyre njerëzve, atëherë bëjeni të dukshme! Mos iu shmangni fotove në grup apo edhe atyre individuale. Të tregoheni të turpshëm nuk do t’ju ndihmojë aspak, jini të gëzuar dhe energjik, fotografohuni sa më shumë, në një mënyrë apo tjetër do të tërhiqni vëmendjen e dikujt.


5. Ndërroni tavolinë. Nëse nuk po ju ecën biseda në tavolinën ku jeni, kjo nuk duhet t’ju pengojë t’ia kaloni bukur, ndërrojeni tavolinën, gjeni personat e duhur. Zakonisht tavolinat në ceremonitë martesore mbushen me persona që e takojnë njëri-tjetrin për herë të parë, kështu që nuk do të dukeni aspak të pasjellshëm.


6. Jini të dobishëm. Nëse po e humbi durimin duke ndenjur kot, bëni diçka që do t’ju bëjë të dobishëm. Bëjini nuses disa foto më shumë, bëni një punë vullnetare që do t’ju largojë nga monotonia e çastit.


7. Vizitoni zonën përreth. Nëse dasma zhvillohet në një vend, të cilin nuk e njihni, përfitoni nga rasti për t’i hedhur një sy qytetit. Vizitoni pikat turistike rreth vendit ku jeni, për shembull uluni në një lokal që ju duket interesant, bëni një shëtitje të gjatë apo blini ndonjë suvenir.


8. Mos e mendoni shumë. Kur merrni ftesën për dasmë dhe jini vetëm, filloni ta stërmendoni të gjithë kohën që do të kaloni dhe mënyrën sesi do ta kaloni atë. Mos u shqetësoni për këtë, jo të gjitha çiftet që janë aty, ndihen vërtet aq të lumtur nga sa mund të jeni ju. Mos e lejoni dasmën t’ju fusë në mendime të turbulluara, merreni qetësisht.


10. Kërkojini dikujt të kërceni. Mos u tregoni të turpshëm, është shumë më e thjeshtë të ftoni dikë në një dasmë të kërcejë me ju, sesa në një klub nate. Të gjithë aty janë miqësorë dhe të gatshëm për të kërcyer.


11. Luani me fëmijët. Ngushëllimi juaj më i madh, gjeni një fëmijë e merruni me të. Do të futeni në botën e një fëmije dhe do të ndiheni shumë më mirë. Mos harroni se të luani me fëmijët në një dasmë, ju bën të dukeni shumë tërheqës për të tjerët.


12. “Adoptohuni”. Gjeni një çift që nuk e ka problem të qëndrojë me ju dhe shijojeni pjesën tjetër të ceremonisë duke biseduar dhe kaluar kohë me këtë çift, i cili duhet të jetë shumë i veçantë.