E krijuar në laboratorët e Universitetit të Stendfordit, është e ndjeshme ndaj presionit dhe mund “të shërohet” shumë shpejt. Indi i ri artificial do të ketë aplikime të ndryshme, nga elektronika te protezat e brezit të ri
Saga kinematografike e “Terminatorit” është një nga më të suksesshmet në fushën e fantashkencës. Aspekti më shqetësues i këtyre robotëve vrasës ishte ngjashmëria e madhe me qeniet njerëzore, duke filluar nga lëkura artificiale që mbështillte skeletin metalik. Por nëse filmi na ka mësuar me robotët njerëzorë të veshur pothuajse të gjithë me lëkurë njeriu, në Universitetin e Stendfordit këtë lloj lëkure po e krijojnë vërtet. Lëkura e re artificiale, e krijuar nga një grup studentësh të udhëhequr nga profesor Zhenan Bao, mund të rigjenerohet vetë pas gërvishtjeve ose prerjeve. Veç kësaj, vetitë e tij të përçueshmërisë elektrike janë tejet të rëndësishme për ta bërë lëkurën të ndjeshme ndaj presionit dhe prekjes, karakteristikë që ngjason me lëkurën tonë. Studimi i ri i publikuar te “Nature Nanotechnology“, tregon një hap të madh të hedhur në fushën e teknologjisë dhe së shpejti mund të ketë shumë përdorime, nga protezat e brezit të ri te pajisjet elektronike që janë të afta të riparohen vetë.
100% lëkurë?
Asnjë nuk i njeh vetitë e lëkurës së njeriut si studiuesit që po përpiqen ta kopjojnë. Në fakt lëkura është kontakti ynë me botën e jashtme. Një sërë nervash dërgojnë vazhdimisht sinjale në tru, duke krijuar ndjesinë e prekjes, e cila na nevojitet shumë për të ndier temperaturën e një objekti ose për të prekur sipërfaqen e tij. Po ashtu, lëkura është një barrierë tepër efikase që mbron trupin tonë nga shumë kërcënime mikro dhe makroskopike, që fshihen në mjedisin e jashtëm. Herë pas here mund të dëmtohet, gërvishtet ose pritet, por në një kohë relativisht të shkurtër mund të shërohet dhe të rikthehet në gjendjen e mëparshme. Siç dëshmojnë edhe shumë studime të kryera gjatë këtyre viteve, nuk është e lehtë që të gjitha këto cilësi të krijohen në laborator. Grupi i studiuesve të Stendfordit nuk është i pari që po krijon në laborator një lëkurë sintetike me këto karakteristika, megjithatë duhet theksuar se lëkurat e prodhuara deri tani kanë disa mangësi. Disa mund të rigjenerohen vetë, por kërkojnë ekspozimin në temperatura të larta, se në disa lloje dritash. Materialet e tjera funksionojnë në temperaturën e ambientit, por mund të rigjenerohen vetë vetëm një herë, sepse struktura kimike dhe mekanike ndryshohet në mënyrë të pakthyeshme gjatë procesit.
Ndër të tjera këto materiale artificiale kanë një tejçueshmëri të vogël elektrike, duke qenë se janë të bazuara te polimeret shumë të ngjashme me plastikën, që zakonisht sillen si izolante. Një “lëkurë e mirë” duhet të tejçojë rrymën elektrike, siç thekson edhe Chee-Keong Tee, një nga bashkautorët e punës: “Për ta testuar këtë material me botën dixhitale, duhet që ajo të jetë një përcjellëse e mirë e rrymës”. Në fakt aftësia për të përcjellë rrymën elektrike është një proces shumë i rëndësishëm për të rikrijuar artificialisht ndjeshmërinë e prekjes, duke shfrytëzuar një teknologji të ngjashme me atë të pajisjeve moderne me prekje “touch screen”.
Brenda lëkurës artificiale
Për të krijuar lëkurën e re artificiale, grupi i Bao-s ka kombinuar dy përbërës, në mënyrë që ta trashë atë dhe që të rigjenerohet në një kohë relativisht të shkurtër. Komponenti kryesor është një polimer plastik i përbërë nga vargje të gjata molekulash të lidhura me një hidrogjen. Këto lidhje molekulare mund të prishen lehtë, por kur lidhen sërish lejojnë një rindërtim të molekulave duke rikrijuar strukturën origjinale.
Polimeri e bën materialin shumë të butë dhe elastik, prandaj shkencëtarët i kanë shtuar këtij përbërësi copëza nikeli, pak mikron (1 mikron = 1 të njëmijtën e milimetrit). Këto copëza të vogla jo vetëm që e bëjnë materialin më rezistent, por rrisin ndjeshëm edhe tejçueshmërinë elektrike. Në brendësi të copëzave të nikelit gjenden disa pika të vogla që janë të afta të krijojnë fushë elektrike dhe ta bëjnë më të lehtë kalimin e elektroneve në material. Nuk ka dyshim që kjo është një “recetë” novatore, e cila ka rezultuar e suksesshme që në momentin e testimit në laborator.