Mjafton të konsumosh vetëm një mollë në ditë për 4 javë rresht për të reduktuar me 40 për qind nivelin e kolesterolit të keq në gjak (LDL) që vendos në rrezik zemrën dhe arteriet. Të paktën kështu tregon një studim i bërë nga një grup shkencëtarësh amerikanë


Mjafton të konsumosh vetëm një mollë në ditë për 4 javë rresht për të reduktuar me 40 për qind nivelin e kolesterolit të keq në gjak (LDL) që vendos në rrezik zemrën dhe arteriet. Të paktën kështu tregon një studim i bërë nga një grup shkencëtarësh të drejtuar nga  Robert Di Silvestro në universitetin shtetëror të Ohajos, i publikuar në “Journal of Functional Foods”. Sipas studimit efektet pozitive të një molle të freskët janë edhe më të mëdha krahasuar me ato nga marrja e antioksiduesve përmes integratorëve ushqimorë. Në të vërtetë, efekti i mollëve ndërmjetësohet pikërisht nga polifenolet, antioksidantë me të cilët kjo frutë është shumë e pasur. Lëkura e mollës është e pasur me polifenole. Tashmë gjithnjë e më shumë studime po tregojnë aftësinë që kanë këto molekula për të bashkëvepruar me aktivitetin e sistemit imunitar. Këto molekula janë shumë të rëndësishme dhe prania e tyre në gjak luan një rol kyç në sistemin imunitar, i cili është i aftë t’i luftojë më mirë sëmundjet ose substancat e huaja.


“Kur kolesteroli LDL oksidohet merr një formë që i hap dritën jeshile arteriosklerozës. Mendojmë se polifenolet janë përgjegjëse për efektin e mollëve”, shpjegon Di Silvestro. Për këtë arsye kërkuesit izoluan polifenolet dhe vlerësuan efektin e marrjes së një sasie ekstrakti të krahasueshme me ato të pranishme te një mollë. “Ekstrakti i polifenoleve  prodhoi një efekt të ngjashëm, por jo aq të fortë sa i ai i mollëve. Kjo mund të lidhet me faktin se molla përmban elemente të tjera që mund të kontribuojnë ndaj faktit që në disa raste, përfshi dhe këto, përthithen më mirë kur konsumohen në formë ushqimi”. I njëjti kërkues saktëson se këto rezultate nuk duan të tregojnë se të marrësh ekstrakte është gjithmonë e kotë. Në fakt, suplementet mund të jenë efikase nëse merren në doza më të mëdha në krahasim me ato të përdorura në studim dhe mund të jenë një alternativë e vlefshme për frutën për ata që nuk hanë kurrë mollë.


 


Studimi


Grupi i kërkuesve të universitetit punoi me disa persona të rritur, por të shëndetshëm, të cilët u ndanë në tre grupe. Grupi i parë konsumoi një mollë në ditë, i dyti një kapsulë me polifenole, i treti ilaçe për reduktimin e kolesterolit. Pas katër javësh ushqyerje të kontrolluar, vullnetarëve pasi iu morën kampionë gjaku iu bënë analiza. Pas kësaj, shkencëtarët vunë re  që grupi i parë (konsumatorë të mollëve) kishin një reduktim me rreth 40 për qind të kolesterolit të keq.


Molla është shumë e pasur me vitamina, acide organike dhe lëndë të tjera materiale të nevojshme për trupin e njeriut. Këto përmbajtje e bëjnë atë mjaft të vlefshme edhe për kurimin e një sërë sëmundjesh. Mund konsumohet si frutë e gjallë ose në gjendje të konservuar. Duhet ngrënë gjithmonë me temperaturën e mjedisit dhe pa i hequr lëkurën. Molla është e pasur me lëndë të ndryshme kimike. Në rast se konsumohet e qëruar, do të humbiste një pjesë të madhe të vlerave të saj ushqyese e kuruese. Sasia e vitaminës C në lëkurën e mollës është gjashtë herë më e madhe se ajo që ndodhet brenda saj. Molla jep efekte pozitive në stomak dhe në lëvizjen e zorrëve. Petkina që përmban molla luan rolin e një sfungjeri në stomak. Acidet e mollës pengojnë zhvillimin e baktereve në zorrë. Edhe për njerëzit e shëndetshëm është i këshillueshëm përdorimi i mollëve.