Algoritmi i ri në rrjetin social “Instagram” po trondit mënyrën se si funksionon platforma, duke ndryshuar rregullat për miliona përdorues dhe krijues përmbajtjeje.

“Nuk kanë më rëndësi ndjekësit?”, kjo është pyetja që po qarkullon gjithnjë e më shumë, pasi drejtuesi i platformës, Adam Mosseri, ka konfirmuar se fokusi është zhvendosur nga popullariteti tek cilësia reale e përmbajtjes.

Sipas ndryshimeve të fundit, tre elementë janë vendimtarë për suksesin e një postimi: sa gjatë e shikojnë përdoruesit, sa ndërveprime merr në raport me shikueshmërinë dhe sa shpesh shpërndahet.

Në praktikë, çdo postim kalon një test fillestar me një audiencë të vogël. Nëse nuk arrin të tërheqë vëmendje, ai “zhduket” pa u përhapur më tej. Por nëse krijon interes të menjëhershëm dhe angazhim, algoritmi e shtyn drejt një audience shumë më të gjerë.

Ky ndryshim po shihet si një revolucion i vërtetë në rrjetet sociale, pasi i jep një shans real edhe krijuesve të vegjël për t’u bërë viralë, pa pasur nevojë për mijëra ndjekës.

Me pak fjalë, epoka e postimeve të shumta dhe hashtag-ëve pa fund duket se ka marrë fund, tani gjithçka varet nga sa “e fortë” është përmbajtja që publikon.