Rritja e temperaturave gjatë verës po ndikon gjithnjë e më shumë në cilësinë e gjumit dhe shëndetin e njerëzve.

Ekspertët paralajmërojnë se nxehtësia e lartë gjatë natës e bën më të vështirë pushimin dhe rigjenerimin e trupit.

Sipas specialistëve të gjumit, për të fjetur mirë, temperatura e trupit duhet të ulet natyrshëm me 1 deri në 2 gradë Celsius.

Kur ambienti është shumë i nxehtë, ky proces pengohet dhe gjumi bëhet i ndërprerë dhe më pak i thellë.

Për këtë arsye, rekomandohet krijimi i një ambienti sa më të freskët në dhomën e gjumit.

Përdorimi i çarçafëve të lehtë, ajrosja e mirë dhe shmangia e nxehtësisë para gjumit mund të ndihmojnë ndjeshëm.

Temperatura ideale për një gjumë të shëndetshëm konsiderohet të jetë mes 15 dhe 19 gradë Celsius.

Nxehtësia nuk ndikon vetëm te gjumi. Ajo mund të ketë pasoja edhe në shëndetin e përgjithshëm, përfshirë edhe ndikime në balancën hormonale dhe energjinë gjatë ditës. Në disa raste, temperaturat e larta mund të ndikojnë edhe në shëndetin riprodhues.

Ekspertët këshillojnë që gjatë verës t’i kushtohet më shumë rëndësi kushteve të gjumit, pasi një ambient i freskët dhe i përshtatshëm është thelbësor për pushim cilësor dhe mirëqenie.