Një element i vogël, por vendimtar në trupin e njeriut po merr gjithnjë e më shumë vëmendje nga mjekët: nyja limfatike “sentinel”, e njohur ndryshe si nyja “roje”. Pikërisht ajo mund të japë sinjalin e parë nëse sëmundja po përhapet apo jo, duke ndikuar drejtpërdrejt në vendimet për trajtim.

Nyjet limfatike janë pjesë thelbësore e sistemit imunitar dhe luajnë rol aktiv në mbrojtjen e organizmit, duke filtruar bakteret, viruset dhe qelizat e dëmtuara. Por në rastin e sëmundjeve si cancer, ato mund të shndërrohen në “pikë ndalimi” për qelizat tumorale që përhapen nga tumori fillestar.

Në këtë zinxhir, nyja sentinel është e para që “takon” këto qeliza. Kjo e bën atë një tregues kyç për mjekët: nëse aty nuk gjenden qeliza malinje, gjasat që sëmundja të jetë përhapur janë shumë më të ulëta. Por nëse rezultati është pozitiv, rreziku rritet dhe kërkohen hapa të tjerë më agresivë në trajtim.

Procedura që përdoret quhet biopsi e nyjes sentinel dhe konsiderohet sot standard në disa lloje kanceri, si ai i gjirit dhe melanoma. Përmes një ndërhyrjeje të vogël, mjekët identifikojnë dhe heqin këtë nyje për analizë të detajuar, duke shmangur në shumë raste operacionet e gjera.

Avantazhi? Më pak komplikime dhe një vlerësim më i saktë i situatës. Megjithatë, edhe kjo metodë nuk është pa rreziqe, pasi mund të shfaqen efekte si ënjtje (limfedema), infeksione apo rezultate të pasakta në raste të rralla.

Pavarësisht kësaj, ekspertët theksojnë se kjo “nyje roje” mbetet një nga armët më të rëndësishme në diagnostikimin modern, duke ndihmuar në përcaktimin e drejtimit që mund të shpëtojë jetë.