Tatuazhet janë bërë një mënyrë e njohur për të shprehur veten, por përtej pamjes estetike, ekspertët paralajmërojnë se ato mund të fshehin disa rreziqe që shpesh neglizhohen.
Një artikull i fundit i publikuar nga “Forbes”, ku citohet mjeku i urgjencës Jesse Pines, rendit disa prej shqetësimeve kryesore që lidhen me tatuazhet, nga përbërja e bojës deri te ndikimet e mundshme në shëndetin afatgjatë.
Një nga pikëpyetjet më të mëdha lidhet me kimikatet që përdoren në bojë. Në disa raste, ato mund të përmbajnë metale të rënda apo substanca të tjera të paqarta, pasi përbërja nuk është gjithmonë transparente për konsumatorët.
Po ashtu, rreziku i infeksioneve mbetet real. Çdo tatuazh përfshin shpimin e lëkurës dhe nëse nuk respektohen kushtet higjienike apo kujdesi pas procedurës, mund të shfaqen probleme që variojnë nga irritime të lehta deri te komplikime më serioze.
Ekspertët theksojnë gjithashtu se reaksionet alergjike nuk ndodhin vetëm menjëherë. Në disa raste, ato mund të shfaqen muaj apo vite më vonë, sidomos nga pigmentet me ngjyra.
Një tjetër aspekt që po studiohet është ndikimi në sistemin imunitar. Grimcat e bojës mund të udhëtojnë drejt nyjeve limfatike, duke ngritur pikëpyetje për efektet e mundshme në organizëm.
Ndërkohë, një studim ka sugjeruar një lidhje statistikore mes tatuazheve dhe një rritjeje të rrezikut për limfomë, megjithëse shkencëtarët theksojnë se kjo nuk provon një lidhje të drejtpërdrejtë shkak-pasojë.
Një problem praktik është se tatuazhet mund të fshehin ndryshime në lëkurë, duke e bërë më të vështirë identifikimin e shenjave që mund të kërkojnë kontroll mjekësor.
Specialistët nënvizojnë se siguria varet shumë nga studioja dhe profesionisti. Përdorimi i pajisjeve sterile dhe ndjekja e rregullave të kujdesit janë thelbësore për të shmangur komplikimet./Top Albania Radio
