Në fakt, e gjithë jeta e Parisit është e ndërtuar përreth këtij lumi të magjishëm. Si jeta private ashtu dhe ajo publike është e ndërtuar përreth tij: këtë e dëshmon më së miri Muzeu i Luvrit, ministritë, katedralja, bashkia


Stop makinave përgjatë lumit. Një projekt për t’u rikthyer kalimtarëve shëtitoren e vjetër


Të “dashurohesh” sërish me brigjet e Senës dhe të reduktosh akoma më shumë trafikun automobilistik: kryetari socialist i Bashkisë së Parisit, Bertrand Delanow do të arrijë të realizojë ëndrrën e tij të vjetër para se të largohet pas dy vjetësh nga ky post. I bllokuar nga qeveria e qendrës së djathtë, projekti për ta bërë shëtitore një pjesë të rrugës përgjatë lumit të Senës, u hodh sërish falë ardhjes së të majtës në pushtet. Punimet kanë nisur dhe mendohet se gjithçka do të përfundojnë në pranverë. Qëllimi është të bëhet ajo që është bërë në Bordo dhe Lion: t’i rijapë lumit rolin e tij në zemër të qytetit si qendër kushtuar jetës dhe shëtitjes dhe jo qarkullimit të makinave. Në fakt, e gjithë jeta e Parisit është e ndërtuar përreth këtij lumi të magjishëm. Si jeta private ashtu dhe ajo publike është e ndërtuar përreth tij: këtë e dëshmon më së miri Muzeu i Luvrit, pallati i drejtësisë, katedralja, bashkia. E futur nga UNESCO në trashëgiminë botërore të njerëzimit, brigjet e Senës janë ruajtur në mënyrë relative, por më të vjetrit që kujtojnë Parisin e viteve ‘50-‘60, ankohen për qarkullimin e makinave. Kur modernizimi ishte rregulli i ditës, Georges Pompidou Kryeministër në kohën e De Golit, mes viteve 1962 dhe 1968, kishte një objektiv: “Të përshtaste Parisin me ‘pushtimin’ e makinave të reja”. Mes projekteve të tij të realizuara njëri është sot në synimet e kryetarit të bashkisë: të transformojë brigjet përgjatë Senës në shëtitore për këmbësorët. Në atë kohë ishte një revolucion: brigjet përgjatë lumit u shndërruan në miniautostrada urbane. Sot është një herezi. Prej 11 vjetësh, një pjesë e atyre rrugëve mbyllet në korrik-gusht për të mundësuar plazhin artificial, por pas disa muajsh ndryshimi do të jetë radikal. Projektet janë dy dhe duhet të kushtojnë 40 milionë dollarë. Në krahun e djathtë do të zgjerohet për të ngadalësuar shpejtësinë e makinave për të mundësuar një “bashkëjetesë” me kalimtarët. Në anën e majtë të bregut do të ndodhë një revolucion i vërtetë: “Më shumë se dy kilometra nga rruga me muzeun “Orsey” dhe urës së Almës do të mbyllen për trafikun e makinave dhe do t’u kthehen parisienëve. Lulishte, pista për biçikleta, bare, restorante, për të mirëpritur një jetë më aktive dhe me shumë aktivitete: të paktën në teori do të jetë si lindja e një lagjeje të re, edhe pse pa banesa. Por, kjo tentativë parisiane është një shembull për të ndjekur, e ndoshta edhe për t’u imituar. Shumë shpesh lumenjtë e qendrave të mëdha urbane janë bërë qendra e të gjitha të këqijave urbane, vendet nga të cilat të gjithë ne arratisemi pavarësisht se ato janë teatrot ku ngrihen xhevahiret arkitektonike të qyteteve europiane: shumë makina, shumë zhurmë, shumë ndotje. Projekti u pëlqen shumë parisianëve dhe kjo gjë nuk i çudit aspak: më shumë se gjysma e banorëve nuk kanë makinë. Por shoferët kanë nisur të protestojnë që tani: kush nuk mund të bëjë dot pa makinë duhet të mendojë për zgjedhje të tjera, një problem i vjetër dhe një konflikt i moçëm interesi mes atyre që jetojnë në qendër dhe mund të shfrytëzojnë transportin publik dhe atyre që jetojnë në periferi. Një konflikt i ndezur nga nisja e punimeve përgjatë Senës, të destinuara të bëhen simbol i kryebashkiakut të parë socialist të kryeqytetit.


 


Skeda


Kostot – Kostoja e projektit në zonat e reja pedonale përgjatë Senës do të jetë rreth 40 milionë euro. Mendohet se pas 5 vjetësh trafiku do të reduktohet me 10%


Paris Plages – Në verë në krahun e djathtë të Senës në verë janë “Paris Plages”, plazhet artificiale, përveç zonave pedonale, lokale dhe restorante


Plani – Në të djathtë do të zgjerohet zona pedonale, ndërsa 2.5 kilometra në të majtë, mes muzeut “Orsey” dhe urës së Almës do të mbyllen për makinat