Për breza të tërë, kryebashkiakët e Parmës, një qytet në Veri të Italisë, e kanë ushtruar pushtetin brenda mureve mesjetare të bashkisë. Por pikërisht këto mure nuk kanë parë kurrë më parë dikë si i sapozgjedhuri Federico Pizzarotti. Ai është një kryebashkiak i një “lloji” të ri dhe përfaqëson një mënyrë të re të të ushtruarit të pushtetit, e cila ka nisur të trondisë dhe vetë politikën italiane. Në maj, në Parmë, votuesit i refuzuan politikanët tradicionalë duke mbështetur, në vend të tyre, kandidatët nga qytetarët, një rrjet i lindur dhe zhvilluar në internet. Dhe tani, këshilli i këtij qyteti të madh kontrollohet nga ajo      që quhet “Lëvizja e Pesë Yjeve”. Kjo fitore është pjesë e një fitoreje më të madhe të arritur në zgjedhjet lokale. Partitë tradicionale të së djathtës, përfshi atë të ish-kryeministrit Berluskoni, pësuan humbje të mëdha. Rrjeti i qytetarëve pa dyshim që përfitoi vota nga pakënaqësia e përgjithshme që ka përfshirë njerëzit nga klasa aktuale qeverisëse, si dhe masat e shtrëngimit financiar të marra nga qeveria e përbërë nga teknokratë, që nuk janë zgjedhur nga populli dhe që drejtohet nga Mario Monti.


Dhe tani në Parmë, z. Pizzarotti, 38 vjeç, është në krye të punëve dhe të hierarkisë së lartë qeverisëse të qytetit. Sa për fillim, ndryshimi i tij nis me mjetin që përdor për të shkuar në punë: një biçikletë të zakonshme. Pra një mjet i thjeshtë dhe shumë ekologjik mbi të gjitha. Nuk ka qenë kurrë më parë në ndonjë detyrë të lartë dhe në një intervistë të parë, që dha pas marrjes së detyrës, e pranon faktin se nuk ka përvojë në drejtimin e një qyteti. Para se të vinte në këtë detyrë, ai ka qenë konsulent IT. “Por ne kemi përvojën e jetës, gjykimin e mirë dhe të drejtë të cilën mund ta përdorim për të zgjidhur çështje politike dhe ekonomike. Ne veprojmë në emër dhe në interes të qytetarëve”, vazhdon intervistën kryebashkiaku i ri.


Lufta kundër korrupsionit


Në thelb të filozofisë së “Pesë Yjeve” është përbuzja dhe neveria për atë të cilën mbështetësit e konsiderojnë si klasa e korruptuar politike italiane. Dhe tani, kjo parti, më në fund ka dalë nga bota virtuale në të cilën lindi dhe u formua dhe po përballet me realitetin e vërtetë me botën “aty jashtë” dhe me gjithë problemet e saj të pafundme. Parma është vendi i parë që është “marrë” nga kandidatët e “Pesë Yjeve”. Ky është qyteti që do të testojë edhe performancën e njerëzve të kësaj partie që është shfaqur si një alternativë ndryshe. Dhe nëse ia dalin mirë, atëherë pa dyshim që objektivi i ardhshëm për ta do të jetë Parlamenti. Vetë kryebashkiaku Pizzarotti thotë se deri më tani, ajo që konsiderohet si politika tradicionale, e ka drejtuar keq një qytet si Parma. Ai thotë se kanë hedhur para për ndërtesa të shtrenjta dhe luksoze, në vend që të investohej për mirëqenien e banorëve të qytetit. “Janë njerëzit ata që përbëjnë thelbin e një vendi dhe mirëqenia e tyre duhet që të jetë në qendër të vëmendjes së drejtuesve. Ekonominë nuk mund ta forcojmë dhe ta rilançojmë me ndërtime të shtrenjta e luksoze, që nuk i hyjnë në punë askujt. Për këtë, na duhet që të ndryshojmë mënyrën e të menduarit. Shpresoj se në fund të administrimit tonë, Parma do të ketë kuptuar se ne ishim ndryshe dhe mbështetëm modele që i sollën të mira gjithë komunitetit dhe ekonomisë lokale”, thotë bashkiaku.


Ai ka plane për këtë qytet, të cilin e do të pastër dhe sa më ekologjik. Për këtë ka planifikuar përdorimin më të pakët të makinave dhe një sërë masash, të cilat njerëzit duhet t’i kuptojnë se janë për të mirën e tyre. Në qendër të politikës së kësaj lëvizjeje është ideja që njerëzit nuk duhet të votojnë e më pas të tërhiqen, me shpresën se të zgjedhurit do të bëjnë atë që duhet në emrin e tyre. Sipas lëvizjes, qytetarët duhet që të përfshihen në vendimmarrje dhe qeveribërje.


Për këtë arsye, ajo është në favor të një vendimmarrjeje dhe politikëbërjeje të vazhdueshme dhe kolektive. “Ne duhet që të konsultojmë qytetarët, para se të shpenzojmë miliona në një projekt. Pikë së pari, duhet të bindemi dhe të biem dakord me qytetarët që ky është projekti që u duhet atyre”, shprehet kryebashkiaku. Zëvendësja në detyrë e tij, Nicoletta Paci, thotë se nga idetë e ndryshme të njerëzve do të dalin edhe ato më të mirat dhe do të arrihet në konsensus, përmes debatit dhe votës. Dhe vendimi që do të merret përfundimisht, do të jetë më i drejtë, më i fortë dhe më gjerësisht i pranueshëm, sepse të gjithë janë përfshirë në këtë proces dhe kanë dhënë mendimin për të. Ajo u pyet edhe nëse kjo gjë mund të shkaktonte një lloj bllokimi, apo paralize, sepse do të ngadalësonte vendimmarrjen dhe gjithçka do të vonohej më pas e ndoshta do të ngecte gjithçka në vendnumëro. Shqetësimit ajo i është përgjigjur se nuk ishte e nevojshme sigurisht për konsultime masive, për çështjet e përditshme, te problemet e vogla që dalin në qeverisjen e një bashkie. Por kur bëhej fjalë për çështje të mëdha, të cilat prekin jetën, mirëqenien dhe të ardhmen e qytetarëve, atëherë konsultimet e gjëra janë gjëja më e rëndësishme që i takon një vendimmarrjeje të mirë.


Parma është një zonë që ka ardhur duke u begatuar nga viti në vit. Ajo shtrihet në një tokë të pasur dhe fertile dhe banorët e saj fitojnë shumë nga prodhimi dhe tregtimi i sallameve të famshëm të zonës, djathit po aq të famshëm në të gjithë botën madje dhe nga produkte të tjera të përdorimit të përditshëm, që kanë qenë gjithnjë cilësorë dhe konkurrues në treg. Parma është veç të tjerash, edhe një zonë me tregti të zhvilluar dhe me një traditë të gjerë në këtë drejtim. Por financat publike të      qytetit janë në kaos dhe rrëmujë totale. Borxhi është i një shkalle me të vërtetë të lartë e shqetësues. Sipas vlerësimeve të fundit, bëhet fjalë për një borxh që kap shifrën e 900 milionë eurove. Borxhi është shkaktuar nga keqqeverisja e administratave të mëparshme lokale dhe tani është grumbulluar dhe shndërruar në një problem dhe pengesë të madhe për ecjen përpara të qytetit dhe të gjithë rajonit. Dhe për hir të së vërtetës, kjo situatë është në pjesën më të madhe të krahinave italiane, të cilat, sikundër edhe shteti, janë në prag kolapsi financiar. Për të përballuar një emergjencë të tillë financiare, lëvizja që ka marrë në dorë drejtimin e vendit, ka caktuar një zyrtar të lartë të financave, i cili ka si detyrë vënien e rregullit në librat e llogarisë së qytetit me të gjithë përbërësit, duke filluar nga taksat, kostot e shërbimeve, kontratat, shpenzimet e gjithçka. Por gjithsesi, deri verën e ardhshme, nuk do të dalë ndonjë plan i detajuar.


Por ka edhe nga ata që në këtë qytet mendojnë se të zgjedhurit për administrimin e Parmës nuk janë në lartësinë e duhur të kësaj detyre të vështirë. Njerëzit janë të padurueshëm dhe shpesh i duan ndryshimet e shpejta. Një pjesë thotë se ende nuk kanë parë ndonjë ndryshim në qeverisjen e vendit. Kryesisht janë qytetarë, por edhe zyrtarë të partive politike, të cilat dolën të humbura në zgjedhjet lokale. Sipas tyre, ka mungesë të qartë qeverisjeje te njerëzit që janë në detyrë, një mungesë e të kuptuarit të situatës dhe një makinë burokratike që funksionon me shumë ngadalësi dhe vonesë dhe kjo ndikon në vështirësimin dhe stërzgjatjen e vendimeve. Sipas këtyre “opozitarëve” është e lehtë që të shash kur nuk je në detyrë, por kur vjen, të duhet që të tregosh se di t’i bësh gjërat ndryshe dhe për këtë, të duhet rezultati dhe shpejtësia në veprime dhe në vendimmarrje. Megjithatë për sa i përket “Lëvizjes Pesë Yje”, janë të shumtë ata që e pranojnë se ajo po sjell një frymë të re në politikën astmatike italiane me figura të vjetruara dhe me mënyra të tilla veprimi. Ata që e mbështesin këtë frymë të re shpresojnë se presioni i njerëzve do të sjellë edhe ndryshimet pritshme dhe do të përmirësojë edhe organizatat politike si lëvizja në fjalë, që kanë nevojë për të ndryshuar për mirë dhe për t’i përshtatur kohës. Janë të shumtë ata që mendojnë se partitë, në mënyrën e tyre tradicionale të veprimit nuk po funksionojnë më dhe qeverisja dhe mënyra e saj duhet që të rinovohet.


Figura qendrore e kësaj partie tashmë të famshme është komediani i shndërruar në aktivist, Beppe Grillo, një akuzues satirik, por edhe shumë i hidhur dhe argumentues i qeverisë dhe klasës politike në përgjithësi. Ai tha se Parma është vetëm fillimi dhe se kjo lëvizje do të jetë një sfidë për politikën dhe politikëbërjen tradicionale në nivel lokal dhe nacional. Deri tani, ai dhe lëvizja e tij ia kanë dalë që të pëlqehen nga 15-20% e votuesve. Por e ardhmja është edhe më e vështirë dhe sfiduese për të gjithë.


Beppe Grillo


Figura qendrore e kësaj partie tashmë të famshme është komediani i shndërruar në aktivist, Beppe Grillo, një akuzues satirik, por edhe shumë i hidhur dhe argumentues i qeverisë dhe klasës politike në përgjithësi. Ai tha se Parma është vetëm fillimi dhe se kjo lëvizje do të jetë një sfidë për politikën dhe politikëbërjen tradicionale në nivel lokal dhe nacional


Mosbesuesit


Por ka edhe nga ata që në këtë qytet mendojnë se të zgjedhurit për administrimin e Parmës nuk janë në lartësinë e duhur të kësaj detyre të vështirë. Njerëzit janë të padurueshëm dhe shpesh i duan ndryshimet e shpejta. Një pjesë thotë se ende nuk kanë parë ndonjë ndryshim në qeverisjen e vendit


Kryebashkiaku


Federico Pizzarotti është një kryebashkiak i një “lloji” të ri dhe përfaqëson një mënyrë të re të të ushtruarit të pushtetit, e cila ka nisur të trondisë dhe vetë politikën italiane. Në maj, në Parmë, votuesit i refuzuan politikanët tradicionalë duke mbështetur, në vend të tyre, kandidatët nga qytetarët, një rrjet i lindur dhe zhvilluar në internet


Filozofia


Në thelb të filozofisë së “Pesë Yjeve” është përbuzja dhe neveria për atë të cilën mbështetësit e konsiderojnë si klasa e korruptuar politike italiane. Dhe tani, kjo parti, më në fund ka dalë nga bota virtuale në të cilën lindi dhe u formua dhe po përballet me realitetin e vërtetë me botën “aty jashtë” dhe me gjithë problemet e saj të pafundme