Një grua në Australi ka anuluar martesën e saj pasi kuptoi se ceremonia martesore, të cilën mendonte se ishte një shaka për rrjetet sociale, në të vërtetë ishte e ligjshme. “Nusja” deklaroi se partneri i saj, një influencer në rrjetet sociale, e kishte bindur të merrte pjesë në ceremoni si pjesë e një “shakaje” për llogarinë e tij në Instagram. Ajo e zbuloi që martesa ishte e vlefshme kur partneri i saj u përpoq ta përdorte këtë për të fituar qëndrim të përhershëm në Australi. Një gjykatës në Melburn miratoi anulimin e martesës pasi pranoi që gruaja ishte mashtruar për të hyrë në këtë bashkim ligjor.

Ky rast i pazakontë filloi në shtator 2023, kur gruaja e takoi partnerin e saj në një platformë online për takime. Ata nisën të takoheshin rregullisht në Melburn, ku edhe jetonin në atë kohë. Në dhjetor të po atij viti, burri i propozoi martesë dhe ajo pranoi. Dy ditë më vonë, ata udhëtuan për një ngjarje në Sidnei, të cilën burri e përshkroi si një “festë e bardhë” ku pjesëmarrësit duhet të visheshin me rroba të bardha. Ai e udhëzoi atë të sillte një fustan të bardhë për këtë rast. Megjithatë, kur arritën në vendin e ngjarjes, ajo mbeti e shokuar kur pa që nuk kishte të ftuar të tjerë përveç partnerit të saj, një fotografi, një mikut të fotografit dhe celebruesit të martesës.

“Kur mbërrita dhe nuk pashë askënd tjetër të veshur në të bardhë, e pyeta, ‘Çfarë po ndodh?’. Ai më tërhoqi mënjanë dhe më tha se po organizonte një martesë false për rrjetet sociale, më saktësisht për Instagram, sepse dëshironte të rrisë ndjekësit dhe të fillojë të fitojë para nga llogaria e tij”-tha ajo. Ajo deklaroi se e pranoi këtë shpjegim sepse partneri i saj kishte më shumë se 17,000 ndjekës në Instagram. Për më tepër, ajo besonte se një martesë civile do të ishte e vlefshme vetëm nëse mbahej në një gjykatë.

Pavarësisht kësaj, ajo mbeti e shqetësuar dhe telefonoi një mik për t’i shprehur shqetësimet e saj. Miku i saj e siguroi duke qeshur se nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar, pasi për një martesë të ligjshme do të ishte e nevojshme të paraqitej më parë një njoftim zyrtar për martesë. E qetësuar nga këto fjalë, gruaja mori pjesë në ceremoni, ku ajo dhe partneri shkëmbyen zotime martesore dhe u puthën para kamerës. Dy muaj më vonë, partneri i saj i kërkoi që ta shtonte si person në varësi në aplikimin e saj për qëndrim të përhershëm në Australi. Kur ajo i tha se nuk mund ta bënte këtë pasi ata teknikisht nuk ishin të martuar, ai i zbuloi se ceremonia në Sidnei ishte në të vërtetë e vlefshme ligjërisht.

Ajo më vonë gjeti certifikatën e martesës dhe një njoftim për martesë të paraqitur një muaj para udhëtimit të tyre në Sidnei para se ata të fejoheshin. Sipas dokumenteve gjyqësore, nënshkrimi në njoftim nuk përputhej me të sajin. Në dëshminë e tij, burri pretendoi se ata kishin rënë dakord për këto rrethana dhe se pas propozimit të tij, gruaja kishte pranuar të martohej me të në një “ceremoni intime” në Sidnei. Gjykatësi vendosi që gruaja ishte “e mashtruar lidhur me natyrën e ceremonisë së kryer” dhe nuk kishte dhënë pëlqim të vërtetë për martesën. Martesa u anulua në tetor 2024.