“Instagram” po i shtrëngon cilësimet në llogaritë e adoleshentëve, për të shtuar kufizime të reja në atë që fëmijët mund të shohin në platformë. Meta prezantoi për herë të parë llogaritë e adoleshentëve për rrjetin social një vit më parë, kur filloi automatikisht t’i zhvendoste adoleshentët në llogari më “të mbyllura”, të cilat vijnë me cilësime më të rrepta privatësie dhe kontrolle prindërore.
Kompania kohët e fundit prezantoi llogaritë e adoleshentëve në “Facebook” dhe “Messenger” dhe ka përdorur mjete të Al për të zbuluar adoleshentët që gënjejnë për moshën e tyre. Por tani Meta po bën një hap më tej. Me ndryshimet e fundit, adoleshentët nuk do të jenë më në gjendje të ndjekin ose të shohin përmbajtje nga kushdo që “ndan rregullisht përmbajtje të papërshtatshme për moshën”.
Meta thotë se gjithashtu do t’i bllokojë këto llogari që të shfaqen në rekomandimet e adoleshentëve ose në rezultatet e kërkimit në aplikacion. “Instagram” do të bllokojë gjithashtu një gamë më të gjerë termash kërkimi për të rritur për adoleshentët, duke përfshirë fjalë si “alkool”, “gjakderdhje” dhe gabime drejtshkrimore të qëllimshme, një taktikë e zakonshme për të shmangur filtrat e “Instagram”.
Për prindërit që duan kufizime edhe më të rrepta, “Instagram” po shton gjithashtu një cilësim të ri “përmbajtje e kufizuar”, i cili filtron përmbajtjen “edhe më shumë”, por ende nuk ka detaje rreth kësaj.
Rikujtojmë, se Meta lançoi një “hartë” në aplikacionin “Instagram” që përdor vendndodhjen e përdoruesve të llogarisë dhe i shënon ata në vendet ku ndodheshin kur publikonin postimet. Përdoruesit besojnë se kjo është një shkelje e privatësisë, ndërsa Meta thotë se nuk do ta ndajnë kurrë vendndodhjen e tyre. Vetëm pak ditë pasi “Instagram” prezantoi opsionin e ri të Hartës së “Instagram”-it, rrjetet sociale u përmbytën me komente të përdoruesve, kryesisht negative, bazuar në shkeljen e privatësisë së tyre.
Ndërsa disa janë vetëm paksa të irrituar që “Instagram” po kopjon “Hartën e Snapchat” në vend që të lejojë burimin klasik me postime vetëm nga miqtë, të tjerë shprehin shqetësime serioze në lidhje me problemet e mundshme të privatësisë, doxxing dhe rreziqet e sigurisë, veçanërisht për viktimat e dhunës në familje ose njerëzit që mund të bëhen shënjestra të ndjekjes. Meta pretendon se kjo veçori është ekskluzivisht “opt-in”, që do të thotë se përdoruesit vendosin vetë nëse duan të ndajnë vendndodhjen e tyre aktive me miqtë e zgjedhur.