Bukuri – Tashmë jeni në dijeni se bima aloe vera është me të vërtetë një ilaç natyral për çdo problem. Por ne, këtë herë do t’ju paraqesim përfitimet që na vijojnë nga përdorimi i xhelit (tulit) të saj, në lidhje me aspektin kozmetik
Ky eliksir i bukurisë i vënë në dispozicion nga natyra, mund të përdoret në shumë mënyra. Të mirat e aloe verës për kurimin e lëkurës dhe të flokëve, janë vërtet të shumta. Jo pa qëllim është një nga bimët më të përdorura në fushën kozmetike! Lëngu xhelatin i përfituar nga bima Aloe Barbadenis Miller, figuron shpesh mes përbërësve kryesorë të produkteve të bukurisë. Ndaj, ndiqni këshillat tona, për të mësuar përdorimin korrekt të xhelit të aloe verës.
Skrab me xhelin e aloes
Xheli i aloe verës është shumë i njohur për të mirat e tij antiinflamatore, qetësuese, hidratuese, antiseptike, antibiotike dhe freskuese. Për të njohur të gjitha përdorimet kozmetike, le t’ia nisim para së gjithash nga skrabi me xhelin e aloe verës, një alternativë natyrale dhe shumë produkte në treg, për t’u përgatitur me lehtësi me pak vaj ulliri dhe sheqer.
Aloe vera kundër zbokthit
Një tjetër përdorim bukurie për të mos u humbur, është ai i xhelit të aloe verës kundër zbokthit. Nëse keni këtë problem të bezdisshëm, i cili ju shkakton kruajtje dhe pamje jo estetike, jo të pastër (grimca të bardha mbi veshje), atëherë shpërndani një sasi të këtij xheli në lëkurën e kokës. Lëreni të veprojë për pak minuta dhe më pas procedoni me shampon normale.
Xhel aloe për maskë fytyre
Xheli aloe është një përbërës shumë i mirë edhe për maska fytyre, hidratuese dhe qetësuese. Ai është një ilaç efektiv, sidomos për lëkurën e ndjeshme, veçanërisht kur bëhet e skuqur. Edhe në këtë rast, ju rekomandohet të aplikoni pak nga xheli i aloe verës në fytyrë dhe ta mesazhoni atë në mënyrë delikate, derisa të përthithet nga lëkura. Më pas mjafton ta shpëlani.
Xhel aloe për duar të plasaritura
Mos vallë ulja e temperaturave ka filluar të japë ndikimin e parë në lëkurën e duarve tuaja, duke i ashpërsuar ato? Për këtë problem, xheli i aloe verës bën vërtet mrekulli! Mund të aplikohet i vetëm ose edhe i përzier me një krem hidratant për ta bërë lëkurën të butë dhe me plot shkëlqim.
Xhel aloe kundër rrudhave
A e njihnit fuqinë antirudhë të xhelit të aloe verës? Këtë mund ta verifikoni duke shpërndarë me majën e gishtave pak xhel përreth zonës delikate të syve. Ai relakson lëkurën dhe zbeh shenjat e moshës!
Xhel aloe si krem trupi
Të mirat e tij hidratuese, mund të shfrytëzohen edhe për të gjithë lëkurën e trupit, për ta bërë atë sa më të butë dhe të lëmuar! Përhapeni atë mbi trup pasi të keni bërë dush!
Xhel aloe për të djegurat
Është një produkt ideal për rastin e të djegurave që mund t’u ndodhin në lëkurë, pasi kontribuon në hidratimin e saj dhe në eliminimin e inflamacioneve. Fuqia e tij qetësuese e bën atë një ilaç natyral kundër djegieve nga dielli në kohën e verës. E njëjta gjë vlen edhe në rastin kur keni një lëkurë përgjithësisht të thatë.
Xhel aloe kundër lëkurës së yndyrshme
Xheli aloa është po kaq efikas edhe për puçrrat në lëkurë. Në lëkurën me yndyrë, ku përgjithësisht puçrrat shfaqen më shumë, ky xhel ndihmon në zvogëlimin e papastërtive dhe heqjen e pikave të zeza. Kjo, falë të mirave të tij antibiotike.
Maskë për flokët me xhel aloe vera
Ëndërroni për flokë të fortë dhe të shëndetshëm? Maska për flokë me xhel aloe, do t’ju sigurojë të rigjeni shkëlqimin e dikurshëm! Përziejeni atë me pak nga vaji juaj esencial i preferuar dhe aplikojeni mbi flokë, duke përdorur një furçë. Mblidhini flokët me një qese plastike dhe lërini ashtu për më pak se 15 minuta.
Xhel aloe pas depilimit
Sa e sa herë u është dashur të hiqni dorë nga veshja e një fundi, vetëm se lëkura juaj ka qenë e irrituar dhe e skuqur për shkak të depilimit? Kjo gjë do të jetë vetëm një kujtim, nëse pas procesit të depilimit, përdorni pak nga xheli i aloe verës.
N.A