Nga festat e shfrenuara të Romës së lashtë te puthja simbolike e sotme, pse ky moment i mesnatës vazhdon të ketë kaq shumë rëndësi. Mbase qëndroni në shtëpi, me pizhame, duke ndjekur pritjen e Vitit të Ri në televizor, me një gotë shampanjë në dorë. Mbase jeni në shesh, mes turmës, ose duke kaluar nga një festë në tjetrën, duke kërcyer deri në mëngjes, apo jeni mikpritës për miqtë tuaj. Sido që të duket nata juaj, një gjë është pothuajse e sigurt, kur ora shënon mesnatën, të gjithë afrohen drejt njëri-tjetrit në kërkim të një puthjeje. Ose, të paktën, të dikujt që “duhet” ta puthim në atë çast simbolik.

Puthja në natën e Vitit të Ri është një nga traditat festive më të njohura në botë. Ndonjëherë është romantike dhe e butë, ndonjëherë paksa e sikletshme si pasojë e teprimit me shampanjë, e ndonjëherë edhe fillimi i diçkaje krejt të re. Pavarësisht nëse i jepni një kuptim të veçantë apo e përjetoni si moment spontan, është interesante të dihet: nga e ka origjinën kjo traditë?

Nga Roma e lashtë te festimet e sotme

Rrënjët e puthjes së Vitit të Ri shkojnë deri në Romën e lashtë dhe festivalin e Saturnalieve, që festohej gjatë solsticit dimëror në nder të perëndisë Saturn. Shtëpitë zbukuroheshin me gjelbërim, organizoheshin gosti, shkëmbeheshin dhurata dhe njerëzit mblidheshin për të festuar, tingëllon familjare, apo jo? Megjithatë, Saturnaliet nuk ishin aspak “të pafajshme”. Gjatë këtyre ditëve rregullat zbuteshin, festohej pa kufizime dhe alkooli rridhte pa masë. Rezultati? Shumë shfaqje publike afeksioni, përfshirë edhe puthjet. Ky shpirt i shfrenuar i festës u bart edhe në epoka të mëvonshme.

Puthja si shenjë e mirë për vitin që vjen

Sot, arsyet nuk kanë ndryshuar shumë. Njerëzit puthen për të shprehur afërsi, gëzim dhe festë. Viti i Ri është momenti ideal për këtë. Por ekziston edhe ajo shtresë e thellë, paksa supersticioze, që të gjithë e njohim: si ta nisësh vitin, ashtu do ta kalosh edhe 12 muajt në vijim. Nëse në mesnatë puthni personin që doni, besohet se marrëdhënia forcohet. Nëse jeni vetëm, legjenda thotë se ju pret një vit i vetmuar. Natyrisht, kjo flet më shumë për frikërat dhe dëshirat tona sesa për të ardhmen reale, por tradita vazhdon të jetojë. Dhe, le të jemi të sinqertë, ndonjëherë gjithçka lidhet me spontanitetin ose guximin që sjellin disa gota pije më shumë. Në atë eufori, ideja për t’i “vjedhur” një puthje dikujt simpatik shpesh duket perfekte.

Pavarësisht traditës, një rregull është i padiskutueshëm: puthja duhet të jetë e dëshiruar nga të dyja palët. Shenja më e sigurt? Përqafimi. Nëse tjetri e pranon me kënaqësi afërsinë, ndoshta edhe puthja është e mirëpritur. Nëse jo, nuk ka dramë, Viti i Ri nuk prishet për shkak të një momenti. Gjithashtu, nuk duhet të krijohen pritshmëri të tepruara. Puthja e mesnatës nuk ka pse të jetë filmike apo fatale. Ndonjëherë është thjesht një simbol i bukur i mbylljes së një viti dhe fillimit të tjetrit.

Sa duhet të zgjasë puthja në mesnatë?

Nuk ka rregull. Një puthje në faqe mes miqsh, një sekondë është më se e mjaftueshme. Puthja romantike? Aty vlejnë ligje të tjera. Nuk ka rëndësi gjatësia, por sinqeriteti. E shkurtër apo e gjatë, nëse është autentike, mbart të njëjtin kuptim: gëzim, afërsi dhe shpresë.

Po nëse nuk keni kë të puthni asgjë e keqe

Ideja se duhet patjetër të keni një puthje në mesnatë shpesh krijon presion të panevojshëm. E vërteta është se Viti i Ri nuk varet nga një moment i vetëm. Ndonjëherë një bisedë e mirë, të qeshurat me miqtë ose paqja me veten kanë më shumë vlerë sesa një puthje pa emocion.

Krijoni traditën tuaj

Festat shpesh vijnë me pritshmëri që nuk na përshtaten. Prandaj, mos hezitoni të krijoni mënyrën tuaj të pritjes së Vitit të Ri. Një darkë e madhe me më të afërmit, lojëra shoqërore, koncert shtëpiak, karaoke, kuiz, apo edhe një natë e qetë me film, gjithçka është e lejueshme. Puthje apo jo, më e rëndësishmja është të hyni në vitin e ri me ndjesinë se e keni nisur ashtu siç ju bën mirë. Sepse kjo është e vetmja traditë që vërtet ka kuptim. /TAR/