Studimi zbulon se dëshira për ëmbëlsira gjatë PMS-it nuk është dobësi, por rezultat i ndryshimeve hormonale që ndikojnë në tru dhe oreks.

Shumë gra vërejnë se disa ditë para menstruacioneve, kur fillon sindroma premenstruale (PMS), mezi i rezistojnë çokollatës, ëmbëlsirave apo ushqimeve të pasura me karbohidrate dhe ndiejnë uri të vazhdueshme.

Simptoma emocionale, fizike, njohëse dhe të sjelljes, si dhimbja, irritimi, ankthi dhe ndryshimet në oreks, shfaqen në fazën e vonshme luteale të ciklit menstrual.

Tek gratë me PMS, këto simptoma janë më të theksuara dhe ndikojnë në jetën e përditshme. Gjatë ciklit menstrual ndryshojnë oreksi, zakonet ushqimore dhe preferencat. PMS lidhet me ndryshime të forta emocionale dhe fiziologjike, përfshirë dëshirën për ushqim. Në këtë kontekst, studiuesit analizuan lidhjen me të ashtuquajturën uri hedonike, dëshirë për të ngrënë për kënaqësi, edhe kur nuk ka uri reale.

Studiuesit ndoqën 150 gra të reja në faza të ndryshme të ciklit: në fillim, gjatë ovulacionit dhe para menstruacioneve. U krahasuan gratë me PMS dhe ato pa të. 

Një nga gjetjet kryesore ishte se gratë me PMS përjetojnë më shpesh uri hedonike gjatë gjithë ciklit. Ato janë më të ndjeshme ndaj pamjes, aromës apo mendimit për ushqim, veçanërisht për atë kalorik.

Gjatë fazës para menstruacioneve, kur simptomat janë më të forta, ato raportojnë edhe marrje më të lartë të kalorive. Luhatjet e estrogjenit dhe progesteronit ndikojnë në sistemin e shpërblimit në tru dhe në kontrollin e urisë.

Tek disa gra, sidomos ato me PMS, këto ndryshime e rrisin edhe më shumë dëshirën për ushqim. Autorët theksojnë se rritja e oreksit para menstruacioneve nuk është mungesë vetëkontrolli, por rezultat i një kombinimi kompleks hormonal dhe neurologjik. Kuptimi i këtyre mekanizmave mund të ndihmojë në krijimin e rekomandimeve ushqimore të personalizuara.