Etiketat me udhëzime për larjen nuk mjaftojnë më për t’i ndihmuar njerëzit t’i përdorin rrobat për një kohë më të gjatë. Me rregullat e reja që po zbatohen në Europë, kompanitë e modës do të mbajnë më shumë përgjegjësi për gjithë ciklin e jetës së produkteve të tyre, përfshirë edhe mbetjet pas përdorimit.

Megjithatë, shumë marka vazhdojnë të përqendrohen te shitja e rrobave të reja, ndërsa kujdesin për mirëmbajtjen ua lënë konsumatorëve. Studimet tregojnë se njerëzit duan më shumë mbështetje praktike për mirëmbajtjen dhe riparimin e veshjeve, pasi kjo zgjat jetën e tyre dhe ul ndotjen e mjedisit.

Jetëgjatësia e një rrobe varet nga materiali, cilësia, dizajni dhe mënyra se si përdoret. Në kulturën e modës së shpejtë, rrobat hidhen shumë më herët sesa është e nevojshme. Për t’i bërë ato të zgjasin më shumë, nuk mjafton vetëm blerja e rrobave të përdorura, rëndësi kanë edhe larja, ruajtja, riparimi dhe përdorimi i përditshëm.

1. Lajini më rrallë

Larja e shpeshtë në lavatriçedëmton fijet e tekstilit. Në vend që t’i lani menjëherë, ajrosini dhe vishini përsëri kur është e mundur. Njollat e vogla mund të pastrohen me dorë, ndërsa disa rroba, si xhinset, mund të freskohen duke i lënë për pak kohë në ngrirje.

Image

2. Njihni materialet

Materiale të ndryshme kërkojnë kujdes të ndryshëm. Furçat, rulat për push dhe mjetet për heqjen e topthave mund të zgjasin jetën e rrobave. Zgjidhni produkte pastrimi të buta dhe shmangni ato që përmbajnë PFAS, kimikate që ndotin mjedisin dhe mund të dëmtojnë shëndetin. Edhe mirëmbajtja e lëkurës apo veshjeve të papërshkueshme nga uji ndihmon në ruajtjen e tyre.

3. Rishikoni garderobën

Shumë njerëz kanë rroba që nuk i përdorin, por nuk do të thotë se duhen hedhur. Moda, shijet dhe madje edhe trupi ndryshojnë me kalimin e kohës. Duke riorganizuar garderobën, mund të rizbuloni veshje që i kishit harruar dhe të shmangni blerjet e panevojshme.

4. Mësoni të riparoni

Image

Qepja e një kopse, mbyllja e një vrime ose shkurtimi i pantallonave janë aftësi të dobishme që mund t’i japin rrobave një jetë të re. Punishtet e riparimit dhe aktivitetet komunitare janë vende të mira për të mësuar këto aftësi.

5. Zgjidhni marka që ofrojnë shërbime pas blerjes

Gjithnjë e më shumë kompani po ofrojnë riparime, pjesë këmbimi dhe shërbime përshtatjeje. Duke mbështetur këto marka, konsumatorët nxisin industrinë e modës të kujdeset jo vetëm për shitjen e rrobave, por edhe për jetëgjatësinë e tyre. Kujdesi për veshjet duhet të bëhet pjesë normale e mënyrës së konsumit dhe jo një zgjedhje e rrallë.