Këshilla
Nëse përfitoni nga këto pesë zbulime të studimeve për të ndërvepruar gjatë përditshmërisë me të tjerët, ato mund t’ju ndihmojnë të fitoni besimin e kolegëve, miqve dhe madje edhe të panjohurve
Tregoni ndjeshmëri përmes faljes
Të kërkosh falje për diçka të cilën nuk mund ta kontrollosh, mund të duket jo logjike, por në fakt, do t’ju bëjë juve të ngjallni më shumë besim te të tjerët. Studiuesit nga Harvardi i kërkuan një të riu t’u afrohet 65 të huajve në një stacion treni në ditë me shi dhe t’i kërkonte telefonin për një çast. Gjysmën e herëve ai e filloi bisedën duke kërkuar falje. “Më vjen keq për shiun!”, thoshte ai përpara se t’i pyeste nëse mund t’ia jepnin celularin borxh për pak minuta. Vetëm nëntë për qind e personave që nuk e dëgjuan kërkesën e tij të faljes në fillim, ia dhanë celularin borxh.
Nga ana tjetër, 47 për qind e atyre që e dëgjuan ndjesën, ia dhanë hua telefonin. Kërkuesit thonë se nëse kërkoni falje për diçka që nuk është në dorën tuaj, kjo tregon se jeni të ndjeshëm dhe se shqetësoheni për atë që ju dëgjon. E gjitha kjo ju rrit besimin që ngjallni në sytë e të tjerëve. Nuk besoni? Provojeni dhe vetë!
Imitoni gjuhën e tyre të trupit
Një studim zbuloi se kur studentëve iu kërkua të imitonin me vetëdije një partner në një ushtrim negocimi, rezultatet ishin shumë të befasishme. Në 67 për qind të rasteve, ata arritën në një marrëveshje. Partnerët me të cilët negocionin, nuk e dinin se po i imitonin në sjellje. Studentët që nuk imituan arritën një marrëveshje në vetëm 12.5 për qind të rasteve. Kërkuesit e shpjeguan suksesin e negociatës si besim ndërpersonal dhe thanë se imitimi nuk i zgjidhte mosmarrëveshjet ose të ndihmonte ndërmjetësuesit që të arrinin rezultate më pozitive.
Mos hezitoni të tregoni paksa siklet
Nëse skuqeni disi, mos mendoni se kjo ju sjell dëme në marrëdhëniet që keni me të tjerët. Në një studim të Universitetit të Kalifornisë, kërkuesit u shfaqën pjesëmarrësve një video të një burri, të cilit iu tha se kishte marrë pikët maksimale në një test. Disa pjesëmarrës panë se burri u përgjigj disi i vënë në siklet, ndërsa të tjerë panë versionin e videos ku ai përgjigjej me krenari.
Kur pjesëmarrësit në studim luajtën një lojë për të matur besimin që kishin tek ai person, ata që e panë atë teksa përgjigjej si i turpëruar, i besuan më shumë sesa të tjerët. Kërkuesit thonë se vënia në siklet apo turpërimi, sinjalizon gjasat që dikush të jetë pro-social, gjë që i bën të tjerët të lidhen më shumë sesa me atë që e perceptojnë si individualist.
Nëse mbani erë të mirë
Keni një aromatizues rrobash në shtëpi? Atëherë kjo mund t’ju bëjë të ngjani më të besueshëm në sytë e të tjerëve. Në një studim holandez, 90 të rritur u ndanë në tre grupe për të luajtur Lojën e Besimit, një test standard ndërpersonal i besimit.
Në këtë lojë, lojtarët marrin një shumë parash dhe vendosin nëse do t’i mbajnë apo do t’i transferojnë te dikush tjetër. Kur pjesëmarrësit transferojnë para, fitimi trefishohet, por kur i besuari vendos të mos i shpërndajë fitimet me atë që ia transferoi, atëherë ai që besoi humbet.
Gjatë lojës, një grup nuk u ekspozua ndaj asnjë ere. Një grup i dytë nuhati erën e mentës, ndërsa grupi i tretë erën e aromatikut të rrobave. Ky grup i fundit ishte më i gatshëm t’i besonte para dikujt tjetër krahasuar me dy grupet e para.
Kërkuesit thonë se nervi përgjegjës për nuhatjen është i lidhur me pjesën e trurit që kontrollon se kujt i besojmë dhe aroma e rrobave ka një efekt qetësues.
Keni një mik/e të përbashkët
Nëse ju pëlqen të bëni miq miqtë e të tjerëve, ata do t’ju besojnë më shumë. Kjo i përshtatet idesë se dy njerëz kanë gjasa më të mëdha të bëhen të afërt, nëse kanë një mik të përbashkët.
Kur studentët e Universitetit të Kolumbias projektuan një program që miqësonte rastësisht individë në Facebook, ata kishin më tepër normë besimi kur numri i miqve të përbashkët ishte i madh, sesa kur bëheshin miq me të panjohur.
Rreth 80 për qind e njerëzve pranonin ftesat e miqësisë kur kishin 11 ose më shumë miq të përbashkët, por vetëm 20 për qind e njerëzve pranonin kërkesat kur nuk kishin miq të përbashkët.
*Burimi: “Reader’sDigest”