Agjencia Europiane e Barnave (EMA) tha sot se nuk ka prova të reja që do të kërkonin ndryshime në rekomandimet aktuale të Europës lidhur me përdorimin gjatë shtatzënisë të paracetamolit, i njohur ndryshe si Tylenol në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Reagimi vjen pasi dje, presidenti amerikan, Donald Trump e lidhi autizmin me vaksinimin e fëmijëve dhe marrjen nga gratë shtatzëna të ilaçit të njohur kundër dhimbjeve, Tylenol.

Trump e ngriti në qendër të politikës shëndetësore të SHBA-ve një pretendim që nuk mbështetet nga prova shkencore.

Provat e disponueshme nuk kanë gjetur asnjë lidhje mes përdorimit të paracetamolit gjatë shtatzënisë dhe autizmit, tha EMA në një deklaratë për agjencinë Reuters.

Agjencia shtoi se “paracetamoli mund të përdoret gjatë shtatzënisë kur është i nevojshëm, por gjithmonë në dozën dhe shpeshtësinë më të ulët efektive”.

Donald Trump tha se Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave do të njoftojë mjekët se përdorimi i Tylenolit gjatë shtatzënisë mund të shoqërohet me një “rrezik shumë të rritur të autizmit”. Ekspertët thonë se ka shkaqe të shumta dhe se teoria që tregon lidhje midis autizmit e Tylenolit, nuk është e përcaktuar. Sipas tyre, pa trajtim, ethet mund të jenë të rrezikshme si për fetusin, ashtu edhe shtatzënën.

Mbi lidhjen mes Tylenolit e autizmit, shkenca ende nuk ka dalë në përfundime. Një studim suedez i vitit 2024, i rishikuar nga ekspertë dhe që përfshinte më shumë se 2 milion fëmijë, nuk gjeti asnjë lidhje midis aceta-minofenit të marrë gjatë shtatzënisë e autizmit e as të tjera çrregullimeve neurozhvillimore.