Tragaj: Quajeni “Babëzia e pushtetarëve” këtë ekspozitë, sepse atë dëshmon
Në galerinë e arteve pamore të Durrësit është çelur ekspozita e piktorit dhe biznesmenit të njohur durrsak, Ardian Tragaj. Ndonëse i arrestuar në pritje të gjykimit për krimin që ndodhi pas një konflikti për pronën në bregdet, në Malin e Robit, korrikun e kaluar, Akademia Europiane e Arteve në bashkëpunim me Klubin e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit kanë organizuar ekspozitën me punime që vetë piktori dëshiron ta titullojë “Babëzia e pushtetarëve”. Drejtues të pushtetit vendor dhe qendror, deputetë, miq dhe artdashës kanë marrë pjesë në çeljen e ekspozitës ku spikat një stil i veçantë që ka të bëjë me mënyrën e përjetimit të botës dhe fenomeneve të saj. Në punimet e Tragës ndesh fytyra të përçudnuara, të frikësuara dhe duket sikur e ka parandier rrjedhën e jetës së vet. Në një autoportret ai e paraqet veten të kërrusur, me duar të prangosura pas shpine që e mbajnë larg penës dhe penelit dhe në një klithmë të zgjatur që heq paralele me realitetin në të cilin ndodhet. Tragaj është anëtar i Akademisë Europiane të Arteve dhe për kontributin e dhënë në mënyrë të vazhdueshme për artin, organizimin e aktiviteteve artistike, si dhe integrimin e fëmijëve romë në shoqëri përmes veprimtarive sportive është vlerësuar me dy tituj të ndryshme “Mirënjohjeje” nga Bashkia e Durrësit dhe UNDP në vitin 2010, si dhe vlerësime të tjera nga shkolla dhe OJF. Tragaj së bashku me kushëririn e tij Leonard Tragaj ndodhet, në gjendje arresti me burg, në pritje të përfundimit të hetimeve dhe gjykimit të tyre në Kavajë për ngjarjen e ndodhur verën e kaluar në resortin e tij turistik “Ura Li” në zonën e Malit të Robit ku mbetën të vrarë dy persona dhe u plagosën dy të tjerë, pas një konflikti të hershëm për pronën. Një ditë para çeljes së ekspozitës, një sasi lënde plasëse shpërtheu në afërsi të automjetit të vëllait të Tragës, Vilson Tragajt.
v.q