“Jam një nënë e dashuruar me vajzën e saj. Por kjo nuk do të thotë se unë kam ndryshuar. Mbetem ajo vajza që kam qenë dikur: them fjalë të pista, bërtas dhe i lajmëroj të gjithë të mos më mërzisin se pastaj bëj gjëmën. Por nuk jam më rebele”


Nga Alecia Moore, 33 vjeç, nuk mund të prisje një përgjigje të butë: që ajo është një kokëfortë është kuptuar që nga fillimi i karrierës së saj, kur për të gjetur një emër u frymëzua nga Mr. Pink, krimineli i interpretuar nga Steve Buscemi në filmin e Quentin Tarantino “Henat”. Dhe në të vërtetë jeta e Pink, këngëtares me më shumë se 40 milionë albumeve të shituara në botë (sapo ka dalë albumi i gjashtë “The truth about love”), i ngjason një filmi: divorci i prindërve kur ishte ende një fëmijë, droga në vitet e adoleshencës, hyrja në një band punk (në të njëjtën kohë edhe këndonte në një kishë) dhe pastaj skandale pa fund për shumë vite me radhë deri sa u martua në vitin 2006, me motoçiklistin Carey Hart. Por ai nuk iu soll mirë dhe ajo e la pa menduar shumë. Burrat duhet të jenë të kujdesshëm me Pink, se përndryshe përfundon si në videon e singëllit të saj të ri që menjëherë u rendit lart në klasifikim, “Blow me” (One last kiss), ku të dashurit që vendos të martohet me një tjetër grua në ditën e martesës i hidhet nga lart në formë shiu një lëng me ngjyrë të kuqe gjak. Me sa shihet metoda e Pink funksionon, sepse Carey Hart u rikthye dhe çifti u bashkua sërish. 16 muaj më parë lindi vajza e tyre e parë Willow Sage. Tani që është nënë, shumëkush do të kishte dëshirë të pyeste nëse është bërë një vajzë e mirë: “Mëmësia të bën më të ndjeshme, të bën të rritesh dhe të shton mundësitë”, thotë kantautorja. “Nuk mund të zgjohem më në mëngjes me humor të keq dhe me dëshirën për të ndenjur dhe për të mos bërë asgjë. Nga janari i kaluar, kur u ktheva në studio me rolin e dyfishtë, atë të nënës dhe të këngëtares, mendimi i parë ishte: çfarë duhet të bëj sot? Si mund të regjistroj një album, të organizoj promocionin dhe datat e turit, pa qenë më një vajzë rebele që e lë familjen pas dore”. Për sa i përket raportit të saj me të bijën, Pink nuk shton asnjë fjalë, por thotë se është e bindur se është si ai i çdo nëne në këtë botë. “Mundohem ta mbroj. Nuk dua që ajo të përsërisë gabimet që unë kam bërë në të kaluarën. Për më tepër dua të evitoj që mes nesh të krijohen keqkuptimet që kam pasur me nënën time kur isha e vogël, edhe pse duke u rritur raporti u përmirësua. Kështu kaloj sa më shumë kohë të jetë e mundur me vajzën dhe burrin tim. Dhe nëse duhet të largohem i marr me vete: për promocionin në Australi, morëm me qira një shtëpi në plazh afër Sidneit. Çdo fundjavë, sikur bota të përmbysej, angazhimi i vetëm ishte ndërtimi i kështjellave prej rëre me Willow”. Situata do të komplikohet vetëm në momentin kur do të nisin koncertet dhe asaj i duhet të zhvendoset nga një qytet në tjetrin. “Ne jemi si një familje ciganësh, pa një vendbanim fiks. Argëtohem shumë kur e marr vogëlushen me vete. Më shumë se sa në djep e fus në një çantë. Krishtlindjet e kaluara, kur ishte vetëm 7 muajshe, e mora me vete në Paris dhe Gjermani. Kështu nuk do të rritet e përkëdhelur dhe do të kuptojë se sa e bukur është puna që bën nëna e saj”, tregon duke qeshur. Për sa i përket bashkëshortit Carey, ajo tregon se edhe ai është një baba i mrekullueshëm. “Është bukur të shoh burrin tim, një njeri të “fortë” e plot me tatuazhe që kujdeset aq mirë për një fëmijë të vogël. Dashuria për të i ka shtuar dëshirën për të pasur shumë fëmijë. Ndoshta mund të krijojmë një skuadër futbolli, pse jo. Por për çdo grua figura e babait është shumë e rëndësishme”. Kështu ka qenë edhe për atë vetë, që gjithmonë ka qenë shumë e lidhur me të atin. Ai ka qenë ushtar në Vietnam dhe ajo e konsideronte si një model. “Admiroja shumë korrektësinë, koherencën, sinqeritetin”. Për sa i përket vogëlushes Willow, ajo tregon se ka sytë e të atit dhe karakterin saj, por për të kjo nuk do të thotë se nuk do të jetë rebele si e ëma. “Unë e nisa jetën me këmbën e gabuar, por sepse në shkollë më kishin vënë etiketën sikur isha problematike. Mendoj se shumë të rinj sot sillen mirë, për shkak se ndihen të frustruar dhe marrin pritshmëri negative nga mësuesit dhe shoqëria e tyre”. Në performancat e saj live ajo është e famshme për akrobacitë e bëra: “Shumë përpiqen të më imitojnë, por nuk ia arrijnë dot. Nuk dua të përmend emra, por them që asnjëra nuk mund të matet me mua. Në turin tim të ardhshëm nuk dua ta ekzagjeroj si në të kaluarën. Me pak fjalë tani kam Willow dhe nuk dua të lëndohem”. Albumi i saj i fundit është “The truth about love” dhe Pink tregon se është shumë personale. “Unë jam një këngëtare egoiste. Kur nis të shkruaj, flas për veten dhe dashuritë e mia, jetët e të tjerëve nuk më interesojnë. I kam kushtuar edhe një këngë bashkëshortit, Carey-t. Ai është i mrekullueshëm, por askush nuk ia thotë. Jam unë që e bëj përmes këngëve”.