Gjatë ditës është normale të kemi luhatje humori dhe energjie, por ajo që shpesh neglizhojmë është fakti se ushqimi që konsumojmë luan një rol kyç. Disa produkte që duken të zakonshme në përditshmëri mund të jenë pikërisht arsyeja pse ndihesh i lodhur dhe pa motivim.

Ja disa prej tyre që duhet t’i kesh parasysh:

Ushqimet e skuqura

Të pasura me yndyrë dhe të varfra në fibra, këto ushqime e ngadalësojnë tretjen. Si rezultat, trupi harxhon më shumë kohë për të përpunuar ushqimin dhe energjia nuk prodhohet në mënyrë efikase, duke të bërë të ndihesh i rënduar dhe i plogësht.

Makarona, bukë dhe oriz i bardhë

Karbohidratet e rafinuara shkaktojnë rritje të menjëhershme të sheqerit në gjak, një “boom” energjie që zgjat pak dhe pasohet nga një rënie e fortë. Kjo është arsyeja pse pas një vakti të tillë shpesh ndihesh më i lodhur se më parë.

Drithërat me sheqer

Edhe pse duken si zgjedhje e shpejtë për mëngjes, përmbajtja e lartë e sheqerit dhe mungesa e fibrave bëjnë që të ndihesh shpejt i uritur dhe i përgjumur. Alternativa më e mirë janë drithërat e plota, që çlirojnë energji gradualisht dhe të mbajnë aktiv për më gjatë.

Nëse kërkon më shumë energji gjatë ditës, ndoshta është koha të rishikosh çfarë vendos në pjatë. Ndonjëherë, ndryshimet më të vogla në dietë bëjnë diferencën më të madhe.