Studimi britanik me qindra pjesëmarrës sjell shpresa të reja për trajtimin natyral të ankthit por edhe ata që nuk vuajnë nga probleme mendore mund të përfitojnë nga kjo praktikë e veçantë. Përfitimet e aktivitetit fizik në shëndetin mendor janë tashmë të njohura, por çfarë ndodh kur kësaj formule i shtohet noti në ujë të ftohtë? Pikërisht këtë pyetje kanë ngritur studiuesit e Universitetit të Portsmouth në Britani, të cilët kanë zhvilluar një studim me 480 notarë rekreativë, që e praktikojnë notin në det të ftohtë, edhe gjatë muajve më të acartë.
E udhëhequr nga lektorja Dr. Heather Massey, kjo iniciativë synon të analizojë ndikimin e ekspozimit ndaj ujit të ftohtë te personat që vuajnë nga ankthi dhe depresioni. Në kuadër të studimit, një grup vullnetarësh u përfshi në një program tetë-javor stërvitjeje me not në natyrë, pa ndërprerë terapinë me ilaçe, ndërsa grupi i dytë kontrollues vazhdoi vetëm me trajtimin medikamentoz.
Deri më tani, rezultatet janë inkurajuese. Dëshmitë e pjesëmarrësve si Lynne MacFarlane, e cila raportoi përmirësim të dukshëm të simptomave të depresionit dhe Nina Yates, që theksoi efektin qetësues të ujit të ftohtë, sugjerojnë potencial të madh për këtë lloj terapie. Studiuesit besojnë se, nëse rezultatet përfundimtare e mbështesin këtë qasje, noti në ujë të ftohtë mund të përfshihet në trajtimet standarde të shëndetit mendor, madje edhe të rekomandohet si “recetë natyrore” nga mjekët e kujdesit primar.
Megjithëse hulumtimi ka në fokus personat me probleme mendore, ekspertët sugjerojnë se kjo praktikë mund të ndihmojë edhe njerëzit e shëndetshëm, si një mënyrë natyrale për të ulur stresin, përmirësuar gjendjen shpirtërore dhe forcuar sistemin imunitar. Kontaktet me natyrën, përfshirë ujin dhe temperaturat e ulëta, stimulojnë prodhimin e endorfinës, hormoni i lumturisë dhe ndihmojnë në krijimin e një ndjenje të fuqishme përqendrimi dhe qetësie. Edhe pse e dobishme, ekspozimi ndaj ujit të ftohtë duhet të bëhet me kujdes, veçanërisht për fillestarët apo personat me probleme kardiovaskulare. Ekspertët këshillojnë të fillohet ngadalë, të mos jeni vetëm, dhe të konsultoheni me mjekun përpara se të përfshiheni në këtë aktivitet.