Anëtarët e familjes sunduese të Azerbajxhanit janë aksionerë në së paku katër kompani të fshehura në parajsa fiskale, zbulohet nga dokumentet e reja


Kompanitë e fshehta mbuluan lidhjen mes biznesmenit dhe Presidentit të Azerbajxhanit


Stefan Candea, ICIJ



Një mogul korporate me një perandori biznesi ka fituar kontrata ndërtimore me vlerë miliarda dollarë, ndërsa Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, nisi një fushatë masive ndërtimesh në vend, por pikërisht sipërmarrësi i ndërtimeve qe i lidhur me familjen e Presidentit përmes kompanive të fshehura nëpër parajsa fiskale.


Biznesmeni Hassan Gozal, është drejtori i tri kompanive të regjistruara në ishujt Virxhin të Britanisë, të njohura shkurtimisht si BVI, të krijuara në vitin 2008 në emër të vajzave të Presidentit, sipas dokumenteve sekrete që ranë në dorën e Konsorciumit Ndërkombëtar të Gazetarëve Investigativë.


Vajzat e Presidentit në atë kohë qenë 19 dhe 23 vjeç. Dokumentet tregojnë gjithashtu se Presidenti dhe bashkëshortja e tij, Mehriban, një anëtare e Parlamentit, krijuan një kompani të vetën në BVI në vitin 2003, kompaninë Rosamund International Ltd.


Për çfarë arsyeje, familja presidenciale i krijoi këto kompani është e paqartë. Ajo që është e qartë është se familja mori masa për të fshehur interesat e tyre në këto kompani, duke përdorur agjentë të ndryshëm për t’i regjistruar kompanitë apo për t’i drejtuar ato, së paku në letra.


Familja presidenciale dhe Gozal nuk pranuan t’u përgjigjen pyetjeve të ICIJ.


Koha e pronësisë së Ilham Aliyev mbi kompanitë në parajsa fiskale ngre pyetje nëse ai dhunoi ndalimet kushtetuese të vendit, të cilat kufizojnë të drejtat e anëtarëve të Parlamentit për të pasur nën pronësi biznese.


Ilham Aliyev qe ende deputet kur u bë drejtor dhe aksioner i kompanisë së fshehtë në fillim të vitit 2003. Ai u bë President i Azerbajxhanit në tetor të atij viti. Të dhënat tregojnë se kompania në BVI vijoi të ekzistojë deri në maj 2004.


Përveç klauzolave kushtetuese në lidhje me deputetët, ligji në Azerbajxhan ndalon gjithashtu përfshirjen e zyrtarëve në mbikëqyrjen e bizneseve apo në angazhimin në biznes, përfshirë të qenët aksionerë në kompani, sipas Alimammad Nuriyev, një avokat dhe drejtor i Qendrës për Kërkime Kushtetuese në Azerbajxhan.


“Ilham Aliyev e shkeli këtë ligj si në kohën kur qe deputet, ashtu edhe në kohën kur qe President”, tha ai.


ICIJ i dërgoi pyetje Ilham Aliyevit dhe bashkëshortes së tij, Mehriban, përmes postës elektronike dhe postës fizike. Zyra e shtypit e Presidentit nuk pranoi të përgjigjet. Letrat që iu dërguan vajzave të Presidentit Leyla dhe Arzu Aliyeva, mbetën gjithashtu pa përgjigje.


Arzu dhe Leyla Aliyeva blenë kompanitë e tyre të regjistruara në BVI në dhjetor 2008, dy muaj pasi babai i tyre u rizgjodh për një mandat të dytë si President.


Arbor Investments u regjistrua në emrin e Arzu. Leyla rezulton pronare e LaBelleza Holdings Limited dhe Harvard Management Limited. Për të tria kompanitë, u përdor i njëjti ndërmjetës, një kompani me bazë në Malajzi me emrin Naziq & Partners dhe që të gjitha u regjistruan nga Portcullis TrustNet, një kompani konsulence për financat në parajsat fiskale me qendër në Singapor.


Në regjistrimin e kompanive, vajzat e reja shënuan adresa në Dubai: dy apartamente në një resort luksi të quajtur Marina Le Reve. Apartamente të ngjashme në këtë resort janë më shumë se 2 mijë metra katrorë të mëdha dhe kushtojnë rreth 6 milionë dollarë.


Kullat Flame


Hassan Gozal, moguli korporativ i shënuar si drejtor i kompanive të Leyla dhe Arzu Aliyeva, është një njeri me shumë punë.


Ai dhe vëllai i tij, Abdolbari, me origjinë nga Irani, kryejnë një seri të gjerë biznesesh, më së shumti përmes zonës së lirë ekonomike Jebel të Dubait. Hassan Gozal është drejtori ekzekutiv i dhjetëra kompanive që veprojnë nën ombrellën e një mega-kompanie të quajtur “Intersun Holding”, ku Abdolbari është President, ndërsa Hassan është zëvendëspresident.


Dokumentet tregojnë se vëllezërit Gozal kanë biznese që kanë fituar kontrata të mëdha nga kompania shtetërore e naftës në Azerbajxhan, ku Aliyev ka shërbyer si drejtor ekzekutiv para se të bëhej President.


Vëllezërit kanë përfituar gjithashtu në mënyrë indirekte nga pasuria e naftës së vendit, pasi paratë e naftës paguan për shumë projekte ndërtimore, të cilat kanë ndryshuar panoramën e kryeqytetit të Azerbajxhanit Baku, duke e kthyer atë në një pyll qiellgërvishtësish.


Në tërësi, kompanitë e tyre kanë fituar kontrata ndërtimore në Baku me vlerë 4.5 miliardë dollarë.



  • Kompania e tyre Azersun, po ndërton një projekt ambicioz me vlerë 2 miliardë dollarë të quajtur Ishulli i Ëndrrave në një sipërfaqe prej 300 hektarësh pranë Bakut.

  • Një kompani tjetër që ata kanë nën kontroll, “Dia Holdings”, ka fituar 2.5 miliardë dollarë kontrata ndërtimore në Azerbajxhan, shumica dërrmuese e të cilave është financuar nga buxheti i vendit.


Projekti i Dias përfshin kullat Flame në Baku, tri ndërtesa me xham, forma e të cilave u bën homazh pasurive të vendit në formën e gazit natyror. Dia është gjithashtu kompania e ndërtimit të vilave luksoze për administratën e Presidentit pranë qendrës “Heydar Aliyev”, që e ka emrin nga babai i Presidentit aktual, i cili qe edhe paraardhësi i tij në postin e Presidentit. Gozal nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve.


Pronat e familjes


Prej shumë vitesh ka pasur pikëpyetje mbi pasuritë e familjes Aliyev. Në vitin 2010, gazeta “Washington Post” zbuloi se prona me vlerë 75 milionë dollarë në Dubai qenë nën emra që ngjanin me ato të tre fëmijëve të Aliyev. Nëntë rezidenca të mëdha u blenë më 2009 për 44 milionë dollarë, një shifër marramendëse kjo në krahasim me pagën zyrtare të Aliyev prej 228 mijë dollarësh në vit. Gazeta nënvijëzoi se shifra e shpenzuar është afërsisht sa 10 mijë vjet punë për azerbajxhanasin e zakonshëm.


Sipas të dhënave për pronat në Dubai, blerësi i komplekseve të banimit, Heydar Aliyev, në atë kohë qe vetëm 11 vjeç.


Dokumentet tregojnë se çifti sundues i Azerbajxhanit bleu kompaninë e tyre të vetën, Rosamund International Ltd., herët në vitin 2003, duke përdorur një ndërmjetës me bazë në Singapor, DBS Trustee Limited. Çifti shënoi veten si drejtor dhe aksioner, duke dhënë një adresë në Dubai.


Ilham Aliyev u bë President pak kohë pasi kompania u krijua. Kompania kaloi në status pasiv më 2004.


Përveç kompanive të regjistruara në parajsa fiskale të blera në vitin 2003 dhe 2008, familja Aliyev është lidhur me shumë sipërmarrje.



  • Arzu Aliyeva qe bashkëpronare e Silk Way Bank, një njësi e SW Holdings, një firmë që kontrollon ushqimet e avionëve dhe shërbimet e taksive në aeroporte, sipas një raporti të vitit 2010 nga Radio “Europa e Lirë”.

  • Azerfon, një nga kompanitë më të mëdha celulare në Azerbajxhan, është nën bashkëpronësi nga kompani të regjistruara në parajsën fiskale të Panamasë. Kjo kompani shënonte vajzat Aliyeva si presidente dhe thesarmbajtëse.

  • Arzu Aliyeva ka nën pronësi një shtëpi me vlerë 1 miliard dollarë në zonën turistike të luksit Karlovy Vary, në Republikën e Çekisë.


 


Si babai edhe i biri


Në letra, Azerbajxhani po punon shumë në drejtim të llogaridhënies. Vendi ka firmosur shumë marrëveshje ndërkombëtare në lidhje me transparencën dhe korrupsionin.


Por prokurorët janë kufizuar deri më tani te zyrtarët e nivelit të ulët. “Transparency International” e renditi korrupsionin në vend të 139-të nga 176 vende sa i përket nivelit të korrupsionit. Reporterët pa Kufi e rendisin këtë vend të 162-in nga 179 sa i përket lirisë së shtypit. Atje gazetarët dhe blogerët futen në burg, rrihen dhe torturohen.


Familja Aliyev ka pasur pushtetin në Azerbajxhan për shumë dekada, madje edhe më parë sesa vendi të fitonte pavarësinë.


I ati i Presidentit aktual, Heydar Aliyev, qe anëtar i shërbimeve sekrete sovjetike NKVD në vitet 1940, ndërsa në vitet 1960 u bë kreu i KGB-së për Azerbajxhanin. Më 1969, ai u bë udhëheqës i Azerbajxhanit Sovjetik, një pozicion që e mbajti për gati 20 vjet derisa u detyrua të japë dorëheqjen nën akuzat për korrupsion.


Pas kolapsit të Bashkimit Sovjetik në fillim të viteve 1990, Aliyev rifitoi pushtetin pas grushteve ushtarake, duke kapur fuqitë presidenciale para se të kryente zgjedhje formale më 1993. Ai mbeti President për një dekadë.


Pak para vdekjes së tij më 2003, djali i tij, Ilham, trashëgoi udhëheqësinë e vendit prej tij, duke fituar Presidencën në një palë zgjedhje që qenë rëndshëm të manipuluara.


Në qershor 2012, në prag të raporteve mediatike mbi bizneset e familjes, Parlamenti i Azerbajxhanit votoi për të klasifikuar si sekret informacionet mbi kompanitë e regjistruara në Azerbajxhan, duke kufizuar eksesin e publikut mbi pronësinë e kompanive.


Parlamenti votoi gjithashtu për t’i dhënë bashkëshortes së Presidentit imunitet të përjetshëm nga përndjekja penale.


Khadija Ismayilova dhe një gazetar tjetër nga Azerbajxhani kontribuuan në këtë raportim. Gazetari tjetër pëlqen të mbetet i panjohur për arsye sigurie.


 


Aliyev dhe Berisha


Presidenti i Azerbajxhanit ka një histori publike miqësie me Kryeministrin shqiptar, Sali Berisha. Ata janë takuar disa herë në raste të ndryshme gjatë viteve të fundit, ndërsa Berisha ka vizituar Azerbajxhanin dhe ka ftuar zyrtarisht Aliyev të vizitojë Shqipërinë.


Formalisht këto takime janë kryer nën mbulesën e gazsjellësit TransAdriatik, por të dhëna indirekte flasin edhe për lidhje biznesi.


 


Ekspozimi i parajsave fiskale


Një grup i paidentifikuar piratësh kompjuterikë arritën vitin e kaluar të shtien në dorë një sasi të stërmadhe informacioni elektronik mbi aktivitetin financiar të dhjetë parajsave të ndryshme fiskale në të katër anët e botës. Piratët ia dërguan me postë diskun me mbi 260 Gigabit informacion një shoqate gazetarësh me bazë në Uashington. Aty gjendeshin me miliona dokumente të mbi 100 mijë kompanive të regjistruara. Mes dokumenteve u identifikuan kompani që në mënyrë sekrete qenë nën pronësinë e shumë politikanëve, despotëve dhe familjarëve të diktatorëve. Një seri publikimesh mbi këto dokumente është ndërmarrë nga një rrjet prej dhjetëra gazetarësh në të gjithë botën.