Disa njerëz jetojnë për dekada më gjatë se të tjerët, madje edhe përtej moshës 100-vjeçare. Çfarë i bën ata të ndryshëm? Studiuesit në Universitetin e Osakës në Japoni kanë zbuluar një të përbashkët te njerëzit që jetojnë mbi 100 vjeç: një numër jashtëzakonisht të lartë të një lloji specifik dhe të rrallë qelizash.

Sipas studimit, qelizat CD4 CTL, qeliza të bardha të gjakut që janë pjesë e përgjigjes imunitare të trupit, shtohen teksa njerëzit arrijnë moshën 100 vjeç. Në studimin e publikuar në revistën Cell Reports, studiuesit zbuluan se këto qeliza shtohen dhe përshtaten te kjo kategori e të moshuarve.

Ndërsa te individët më të rinj ato zakonisht përbëjnë më pak se 5% të qelizave T, te njerëzit që jetojnë mbi 110 vjeç të ashtuquajturit superqindvjeçarë, përqindja mesatare arrin rreth 17.6%. Studiuesit analizuan mostrat e gjakut të 28 të rriturve, të ndarë në tri grupmosha: 70–99 vjeç, 100–109 vjeç dhe 110 vjeç e lart. Ata zbuluan se përqindja e qelizave CD4 CTL rritej me moshën, me përqindje mesatare përkatësisht 4%, 9.6% dhe 17.6%.

Plakja vjen si rezultat i grumbullimit të dëmtimeve molekulare dhe qelizore me kalimin e kohës, duke çuar në një rënie graduale të kapacitetit fizik dhe mendor, si dhe në rritjen e rrezikut për sëmundje dhe vdekje. Megjithatë, autorët theksuan se vetë plakja nuk është një sëmundje dhe as nuk çon domosdoshmërisht në dështimin e sistemeve thelbësore fiziologjike.

Superqindvjeçarët konsiderohen një model i plakjes së shëndetshme: ata ruajnë profile imunitare, kardiovaskulare dhe epigjenomike që duken më të reja nga sa pritej për moshën e tyre, duke arritur jetëgjatësi dhe duke shmangur ose vonuar sëmundje të rëndësishme të lidhura me moshën, si çrregullimet kardiovaskulare dhe kanceri. Ai shtoi se rritja e tyre e theksuar te superqindvjeçarët mund të ofrojë të dhëna të rëndësishme për mënyrën se si ruhet sistemi imunitar në moshat ekstreme.

“CD4 CTL janë një popullatë atipike dhe relativisht e rrallë qelizash T. Zgjerimi selektiv i disa qelizave T sugjeron se, edhe në moshë shumë të avancuar, sistemi imunitar mund të vazhdojë të përshtatet me sfidat që lidhen me plakjen”, tha autori i parë i studimit, Kosuke Hashimoto, profesor i asociuar në Universitetin e Osakës.

Studimi sugjeron se këto qeliza mund të kontribuojnë në plakjen e shëndetshme dhe jetëgjatësinë duke synuar qelizat e plakura që grumbullohen në trup, si dhe duke ofruar mbikëqyrje imunitare ndaj tumoreve. Autorët vunë në dukje se kërkimi, i cili u përqendrua te prania e qelizave T që qarkullojnë në gjak, nuk provon se një sasi e madhe e qelizave CD4 CTL parandalon kancerin apo bën që një person të jetojë më gjatë. Hashimoto tha se hapi i ardhshëm i ekipit është të hetojë se si sillen këto qeliza në indet njerëzore.