Gjatë ditës mund të duket sikur je mirë. Puna, miqtë dhe angazhimet të mbajnë të zënë, por sapo vjen mbrëmja dhe mbetesh vetëm me mendimet e tua, mund të të kujtohet pikërisht ai person që mendoje se e kishe lënë pas.

Por pse dikush mund të na mungojë më shumë gjatë natës?

Një nga shpjegimet më të thjeshta lidhet me mungesën e shpërqendrimeve. Gjatë ditës, vëmendja jonë ndahet mes punës, njerëzve dhe aktiviteteve të ndryshme. Në mbrëmje ritmi ngadalësohet dhe mendimet që kanë qëndruar në sfond mund të dalin përsëri në sipërfaqe. Për shumë njerëz, nata lidhet gjithashtu me afërsinë dhe intimitetin. Nëse dikur flisje me dikë çdo mbrëmje, prisje mesazhin e tij apo ndanit fundin e ditës së bashku, mungesa e këtij rituali mund të ndihet më fort pas largimit të tij.

Ndonjëherë, në fakt, nuk na mungon vetëm personi, por edhe zakoni që kishim krijuar me të.

Gjatë këtyre momenteve mund të rikthehen edhe kujtimet. Një fotografi, një këngë apo një bisedë e vjetër mjafton për të nisur pyetjet: “Po sikur t’i shkruaj?”, “A mendon edhe ai për mua?”, “Po sikur gjërat të kishin shkuar ndryshe?”

Megjithatë, të marrë malli për dikë nuk do të thotë domosdoshmërisht se dëshiron apo duhet të rikthehesh në atë marrëdhënie. Mund të të mungojnë momentet e bukura, rutina apo mënyra se si ndiheshe në atë periudhë. Prandaj, para atij mesazhit të vonë të natës, mund t’i bësh vetes një pyetje: “Më mungon vërtet ky person apo thjesht po ndihem vetëm sonte?” Ndonjëherë, përgjigjja duket shumë më e qartë në mëngjes.