Ora shënon tetë të mëngjesit. Alarmi bie dhe gjëja e parë që bëjmë është të kontrollojmë telefonin, ende pa u ngritur nga shtrati. Mesazhet, detyrat e ditës dhe angazhimet fillojnë të na pushtojnë mendjen, ndërsa dita nis me ritmin e zakonshëm.

Mëngjesi shpesh kalon duke parë video në rrjetet sociale, ndërsa pjesa tjetër e ditës mbushet me punë, pazare, shpenzime dhe probleme të papritura. Në mbrëmje kthehemi në shtëpi duke pritur momentin e pushimit, por të nesërmen zgjohemi sërish të lodhur, edhe pasi kemi fjetur shtatë orë.

Por përtej lodhjes fizike, shqetësuese është edhe ndjesia se nuk mbajmë mend shumë nga ajo që kemi bërë gjatë ditës. Sikur kemi qenë të pranishëm fizikisht, por jo mendërisht.

Kështu fillojmë të presim të premten, fundjavën apo pushimet e radhës. Lumturinë dhe qetësinë i lidhim me momente që ende nuk kanë ardhur, duke harruar të përjetojmë të tashmen.

Rutina nuk është domosdoshmërisht diçka negative. Ajo na ndihmon të organizojmë jetën dhe të krijojmë zakone që na japin siguri. Edhe veprime të vogla, si përgatitja e kafesë në të njëjtën mënyrë çdo mëngjes, mund të na japin kënaqësi.

Problemi nis kur përsëritja kthehet në automatizëm dhe nuk arrijmë më të vërejmë atë që ndodh rreth nesh. Rutina na organizon jetën, ndërsa automatizmi rrezikon të na largojë nga përjetimi i saj.

Në përditshmëri, dëgjojmë mesazhe zanore me shpejtësi të dyfishtë, flasim në telefon ndërsa ecim dhe punojmë edhe gjatë kohës që hamë. Të përqendrohemi vetëm në një aktivitet duket sikur po humbasim kohë.

Në një shoqëri ku gjithçka lëviz me shpejtësi, gjithnjë e më shumë njerëz duket se e kanë të vështirë të ndalen dhe të shijojnë momentin.

Ndoshta pyetja që duhet t’i bëjmë vetes nuk është sa shumë kemi arritur të bëjmë gjatë ditës, por sa prej atyre momenteve kemi arritur t’i përjetojmë vërtet.