E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë psikologia Loreta Caka. Ajo ka folur më shumë mbi dashurinë, mënyrën si zgjedhim partnerët, si dhe nëse dashuria është fat apo jo…
Ndodh që kur jemi në makinë dhe dëgjojmë një këngë të dhimbshme dashurie, na vjen në mendje lidhja jonë e shkuar që edhe ka mbaruar dhe nisim të prekemi e të qajmë. A u pëlqen njerëzve dhimbja e dashurisë?
Në njëfarë mënyre po, u pëlqen dhe u pëlqen sepse fatkeqësisht ata nuk janë të shëruar. Nëse një person është i shëruar, nuk ngelet aty, nuk ngelet pas. Kur ti shërohesh me veten tënde, kur ti zgjidh atë ekuacionin e madh me veten, i kujt ishte faji, pse ndodhi, çfarë shkoi keq. Bën një logjikë të të gjithë gjësë se pse arriti ajo marrëdhënie aty dhe ti e pranon me veten tënde, edhe nëse ti ke faj, edhe nëse partneri ka faj, thjesht u mbyll. Kur ti bën paqe me veten tënde, çfarëdo lloj muzike të jetë në sfond, nuk përjashtohet fakti që mund të të kujtohet dikush, por nuk lëndohesh, nuk qan, nuk ndihesh keq me veten. Ose përdorin të shkuarën për të qarë për të tashmen. Mund të jenë në një situatë që nuk duan ta pranojnë, mund të jenë në një situatë të vështirë por mendojnë që është tepër herët për të qarë për atë dhe kamuflohen sikur po qajnë për situatën e shkuar. Se njerëzit janë të çuditshëm, janë shumë kompleks për t’u kuptuar.
