Çdo vit, më 6 korrik, bota feston Ditën Ndërkombëtare të Puthjes, një ditë e veçantë që sjell në qendër të vëmendjes një nga gjestet më të sinqerta dhe më universale të dashurisë: puthjen. Kjo ditë nuk ka të bëjë vetëm me romancën, por me forcën emocionale dhe lidhjen njerëzore që përfaqëson ky akt i thjeshtë.
Dita Ndërkombëtare e Puthjes e ka origjinën në Mbretërinë e Bashkuar, ku për herë të parë u propozua si një mënyrë për të rikujtuar vlerën e puthjes së sinqertë përtej formalitetit social apo zakonit të përditshëm. Me kalimin e kohës, kjo gjë u përhap në shumë vende dhe sot njihet në mbarë botën si një moment për të reflektuar mbi rëndësinë e lidhjes emocionale përmes prekjes më të natyrshme që ekziston.

Puthja është si një gjuhë universale. Pavarësisht gjuhës, kulturës apo vendit, puthja është një formë komunikimi që të gjithë e kuptojnë. Ajo shpreh dashuri, afeksion, mirënjohje, dhe ndonjëherë, përshëndetje apo pajtim. Ndërsa në disa kultura puthjet janë pjesë e përshëndetjes së përditshme (si në Francë, Itali apo vende të Ballkanit), në të tjera ato mbeten një shprehje private dhe personale e ndjenjave.
Shkenca ka vërtetuar se puthjet nuk janë vetëm simbolike, por kanë ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien tonë, si në reduktimin e stresit, ulin nivelin e kortizolit (hormoni i stresit). Rrisin oksitocinën dhe dopaminën, hormone që lidhen me ndjesinë e lumturisë dhe lidhjes emocionale. Gjithashtu puthjet forcojnë sistemin imunitar, aktivizojnë muskujt e fytyrës dhe madje djegin kalori!

Në një botë gjithnjë e më të zënë nga rutina e përditshme dhe teknologjia, Dita Ndërkombëtare e Puthjes na kujton vlerat themelore të lidhjes njerëzore. Një puthje e sinqertë mund të ngushëllojë, të forcojë një marrëdhënie, ose thjesht të sjellë një buzëqeshje në fytyrën e dikujt. Është një rikthim i thjeshtësisë, i ndjenjës dhe i dashurisë pa fjalë.