Me afrimin e sezonit turistik, do të nisin edhe ankesat e shumta ndaj shërbimit të restoranteve dhe hoteleve, ja diçka që duhet të mbani parasysh për kamerierët
Shërbimi
Kur një klient shkon në restorant, mund të reagojë në mënyra nga më të ndryshmet në lidhje me eksperiencën që përjeton në atë vend. Kamerieri është në anën e dukshme të këtij shërbimi, por jo gjithmonë situatat janë në kontrollin e tij. Puna në restorante është një punë në grup, keqfunksionimi i njërës hallkë mund të shkatërrojë të gjithë zinxhirin e shërbimit.
Na ndodh shpesh që mllefin e shërbimit të dobët, të vonesës së servirjes së vaktit, apo edhe për mungesën e higjienës, t’i vërsulemi kamerierit. Ja pesë shpjegimet e një kamerieri të pafajshëm.
Pritja. Më vjen keq që pritët kaq gjatë për ushqimin tuaj. Ju lutem kuptoni se nuk e gatuaj unë. Puna ime është të njoftoj paraprakisht në kuzhinë se çfarë ju do të preferonit të porosisni dhe më pas në momentin e përgatitjes, t’jua sjell atë të gatshme. Nëse ndodhen 100 njerëz të tjerë, që kanë porositur në të njëjtën kohë me ju, ushqimi juaj mund të vonohet, ndonëse unë ju siguroj se dua t’jua sjell po aq shpejt sa ju e prisni. Kjo, ndër të tjera, për arsyen se, sa më shpejt ta konsumoni, aq më shumë klientë do ta përdorin atë tavolinë. Ju lutem jini pak më të qeshur kur ju afrohem me pjatën tuaj në dorë.
Ushqimi. Më vjen keq që ushqimi nuk ishte ai që ju prisnit. Nëse nuk e kishit provuar më parë këtë pjatë, me shumë kënaqësi do të kontribuoja në zgjerimin e horizonteve tuaja kulinare. Nëse në meny nuk gjeni mjaftueshëm informacion për përmbajtjen e porosisë suaj, ndihuni të lirë të më pyesni. Edhe nëse nuk do ta kem provuar personalisht, mund t’ju tregoj sinqerisht për mendimin që kanë pasur qindra të tjerë që e kanë provuar.
Nga ana tjetër, nëse fantazia juaj nuk kënaqet me një pjatë të re që ju e kishit menduar ndryshe, më vjen shumë keq zonja e zotërinj t’ju informoj se kjo nuk ndodhi për fajin tim apo të kuzhinierit.
Zhurma. Më vjen keq që ky restorant është i mbushur me zhurmë. Ndonjëherë restorantet vendosin muzikë, e ndonjëherë tjetër janë vetë njerëzit që e krijojnë këtë ngritje të pavetëdijshme të nivelit të zhurmës. Ju ka rastisur që tavolina juaj të gjendet pranë një çifti me fëmijë të vegjël që qajnë pa pushim? Epo, më vjen keq, por ky nuk është faji im, ndaj ju lutem ruajini nervat tuaja brenda vetes. Muzika që luhet në mjedisin e lokalit, nuk është në dorën time dhe as sasia e volumit të saj.
Çmimet. Kostoja e lartë e faturës suaj nuk varet nga dëshirat e mia. E pranoj se çmimet e restorantit mund të jenë rritur së fundmi, ndoshta edhe më shpejt sesa të ardhurat tuaja. Siç mund edhe ta imagjinoni, çmimet në restorant nuk i vendos unë. Ju lutem shumë, kur paguani faturën apo kur shihni menynë, mos më shihni mua me inat, sepse thjesht po bëj punën time.
Kontrolli. Çdo lokal ka nga një menaxher. Më vjen keq që jam i detyruar t’ju pyes menjëherë pas kafshatës së parë, “si është ushqimi?”, por kjo është diçka që nuk ka për qëllim bezdisjen tuaj. Mund t’ju duket sikur jam në çdo moment në ndonjë cep duke pritur që ju të mbushni gojën me ushqim, që të vij t’ju pyes në lidhje me të, por kjo nuk është e vërtetë. Fakti që jeni duke ngrënë, nënkupton se shumicën e kohës që unë do të vizitoj tavolinën tuaj, ju do të jeni duke u përtypur. Menaxherët e mirë të restoranteve aplikojnë atë që quhet “kontrolli”, për t’u siguruar se ju po e pëlqeni atë që po konsumoni dhe për t’u kujdesur për ju. Ndaj nëse ndiheni të shqetësuar nga pyetjet e mia, imagjinojeni veten në vendin tim.
Harresa. Ju ka ndodhur të harroheni prej kamerierit tuaj edhe kur keni qenë i vetmi klient, apo ju kanë marrë një porosi gabim? Duhet ta kuptoni se të jesh pjesë e një restoranti nënkupton një angazhim tejet të madh, që ndonjëherë del prej normales dhe bëhet kaotik. Në rastet e mësipërme, ju lind e drejta të reflektoni për shërbimin në bakshishin që do të lini. Kini parasysh, edhe pse kamerieri juaj ju kërkon falje, në shumicën e kohës nuk është faji i tij.
Sinqerisht, kamerieri juaj i mundshëm…