Një robot plotësisht autonom, i kontrolluar nga inteligjenca artificiale, ka kryer për herë të parë një procedurë të plotë dentare te një pacient, rreth tetë herë më shpejt se një dentist njerëzor. Kjo teknologji e re jo vetëm që përshpejton procesin, por eliminon edhe rrezatimin e dëmshëm të rrezeve X, duke përdorur teknologjinë OCT, e cila krijon modele me rreze drite dhe zbulon kavitetet me një saktësi prej rreth 90%. Në këtë fazë, dentisti dhe pacienti mund të diskutojnë për atë që duhet bërë, dhe pasi vendimet të merren, roboti stomatolog merr kontrollin.

Ai planifikon operacionin dhe më pas e realizon me saktësi. Procedura e parë që ky robot kryen me sukses është përgatitja e një dhëmbi për kurorë dentare. Në përgjithësi, kjo procedurë zgjat rreth dy orë dhe kërkon dy vizita tek dentisti, por roboti e përfundoi në rreth 15 minuta. Perceptive, kompania që ka zhvilluar këtë teknologji, pretendon se roboti është i aftë të punojë edhe në kushte kur pacienti lëviz, dhe testet e kryera kanë treguar se teknologjia është e sigurt. “Jemi të lumtur që kemi përfunduar me sukses procedurën e parë dentare plotësisht të automatizuar në botë”-thotë Dr. Chris Ciriello.

“Ky përparim mjekësor rrit saktësinë dhe efikasitetin e procedurave dentare dhe përmirëson aksesin në kujdes më të mirë dentar.” Dentistët si Dr. Karim Zaklama, që është pjesë e bordit këshillues të kompanisë, mendojnë se kjo teknologji do të transformojë stomatologjinë. Ai thotë se imazhet me detaje të larta të skanerit intraoral do të ndihmojnë në diagnostikimin e problemeve më herët dhe më saktë, ndërsa pacientët do të përfitojnë nga një eksperiencë më e shpejtë dhe më komode. Sidoqoftë, roboti ende nuk është miratuar nga FDA dhe nuk ka një afat kohor për daljen e tij në treg.