E ftuar në këtë episod të “Vitality Vibes” me Ilvi Begollin, ka qenë mjekja toksikologe Suela Xhufi. Ajo ka folur më shumë për intoksikimin dhe substancat e dëmshme që janë konstatuar kohët e fundit në frutat dhe perimet që konsumojmë. Çfarë i shkaktojnë ato shëndetit të njeriut?

Pjesë nga intervista:

Çfarë janë këto substanca dhe a janë të dëmshme për shëndetin?

Bëhet fjalë për një substancë që është e ndaluar në vendet evropiane dhe që është fosmati. Fosmati ka një efekt toksik shumë të rëndë. Ky efekt nuk është akut dhe mjeku nuk mund ta kuptojë menjëherë. E shohim tek një pacient me imunitet shumë të ulët. Kur përdorim këto substanca në kohë të gjatë, do të ndikojë dhe në rritjen e sëmundjeve psikike, që tashmë i kemi në rritje. Fosmati nuk duhet përdorur sepse ka efektin toksik të lartë dhe është afatgjatë.

Cilat janë shenjat që ka një person që konsumon fruta apo perime me toksina?

Një person nuk ka shenjë direkte përveç një fryrje barku, që është normale. Nuk ndodh menjëherë kur ha një apo dy mandarina, por kur i konsumon në kohë të gjatë. Një pacient do të ketë sindromë të zorrës së irrituar, do të ketë depresion, obezitet, sistem kardiak të dobësuar. Përdorimi në kohë të gjatë do të çojë në probleme të tilla.

A ka rrezik vdekshmërie nga konsumimi i këtyre substancave?

Risku është kronik. Të gjitha patologjitë që kemi sot në botë, vijnë nga konsumimi i këtyre substancave në kohë të gjatë. Por çfarë të bëjmë? Kur marrim perimet ose frutat, të marrim kripë ose sodë buke për të hequr një pjesë të këtyre substancave.