Në ditën që Papa dha dorëheqjen, një rrufe goditi Shën Pjetrin dhe u fotografua. Disa thanë se qe shenjë nga Zoti. Vatikani tha, jo, nuk qe ndërhyrje hyjnore. Statistikat tregojnë diçka tjetër
Përfaqësia e Zotit në tokë goditet më shpesh
Ed Prior
Kur Papa Benedikti XVI njoftoi dorëheqjen e tij më 11 shkurt, kjo nuk qe tronditja e vetme që goditi Vatikanin. Pati gjithashtu edhe goditje elektrike, ndërsa dy rrufe të veçanta goditën bazilikën e Shën Pjetrit. Disa dolën në përfundimin që kjo qe një shenjë nga Zoti. Por a mund të ketë qenë një goditje rastësore?
Le të shikojmë fillimisht vetë bazilikën e Shën Pjetrit.
“Faktorët që përcaktojnë probabilitetin e goditjes së një strukture nga rufetë janë të tilla si vendndodhja, afërsia me ndërtesa të tjera, dimensionet e saj”, shpjegon Matthew Waldrum ekspert i një grupi që merret me llogaritjen e probabilitetit të goditjes së ndërtesave nga rrufetë, si pjesë e masave paraprake me rrufepritëse.
“Edhe materiali i përdorur për ndërtim është gjithashtu një faktor i rëndësishëm. Shën Pjetri është një ndërtesë jashtëzakonisht e madhe. Ajo nuk është tërësisht e izoluar, por dukshëm ajo është më e lartë sesa ndërtesat e tjera përreth, gjë që rrit probabilitetin që rrufeja të bjerë mbi të dhe jo mbi ndërtesat përreth”.
Fakti që nuk pati dëme në bazilikë tregon se ajo është shumë mirë e mbrojtur nga rrufetë.
Por Waldrum dhe kolegët e tij kryen një llogaritje teorike për rrezikun e humbjes së jetës në një ndërtesë si Shën Pjetri në kushtet e mungesës së rrufepritëseve, duke marrë parasysh numrin e madh të njerëzve që e frekuentojnë atë.
“Ne kryem një llogaritje teorike për një ndërtesë të ngjashme me bazilikën e Shën Pjetrit. Rezultati qe që – në krahasim me probabilitetin e zakonshëm të rrezikut të goditjes nga rrufeja, që është një në 100 mijë në vit – ne aktualisht dolëm në konkluzionin që për Shën Pjetrin, probabiliteti është një në 112. Dhe ky është një probabilitet shumë i lartë”.
Me fjalë të tjera, nëse ka rrufe në zonën përreth Romës, është Shën Pjetri që ka më shumë gjasa të goditet. Një faktor tjetër që duhet të merret parasysh është niveli i rrufeve në fillim të shkurtit në rajonin përreth Romës – diçka që zyrat meteorologjike janë në gjendje ta monitorojnë dhe ta mbajnë shënim falë një sistemi sensorësh të vendosur në të gjithë Europën.
Të dhënat meteorologjike mbajnë shënim rrufetë dhe koordinatat ku kanë goditur për të krijuar hartat e zonave që preken më shumë nga këto fenomene.
Falë fotografive të kapura nga çasti i goditjeve të rrufeve, u krye edhe identifikimi i kohës së saktë të rrugës dhe të ballafaqohej fotoja me të dhënat e mbledhura nga sensorët e motit.
Meteorologët qenë në gjendje të analizojnë me hollësi në kohë densitetin e rrufeve në zonën e Vatikanit. Rrufeja e fotografuar duhej të dallohej nga shumë të tjera që patën goditur zonën atë ditë dhe në fund u identifikua. Rrufeja e frikshme e interpretuar si shenjë nga Zoti ndodhi në orën 17 e 54 minuta e 24 sekonda.
Por a është e pazakontë një rrufe e tillë?
Analizimi i të dhënave meteorologjike tregoi se më 11 shkurt të këtij viti, sasia e rrufeve përreth Vatikanit qe shumë e lartë, më e lartë nga sa ndodh zakonisht në këtë zonë dhe në këtë periudhë të vitit.
Fakti që ka pasur stuhi në të gjithë zonën e rrit probabilitetin që një nga këto stuhi të kalojë mbi Vatikan dhe rrjedhimisht ka më shumë gjasa që një rrufe të godasë Shën Pjetrin.
Pra duke parë natyrën e Shën Pjetrit si ndërtesë dhe kushtet meteorologjike rreth Romës atë ditë, gjasat që bazilika të goditej qenë të larta.
Por si mundemi të themi se nuk qe shenjë nga Zoti? A mund të themi se përqendrimi i kaq shumë faktorëve pikërisht në ditën kur Papa dha dorëheqjen qenë të pazakontë?
Ndoshta mund të pranojnë atë çfarë vetë Vatikani tha për këtë gjë. Zyra e shtypit e Selisë së Shenjtë deklaroi se nuk ia atribuonte rrufenë mbi Shën Pjetër një ndërhyrjeje hyjnore.
Teknika
Si fotografohet një rrufe
Për të realizuar kapjen në aparat të një rrufeje, duhet të gjesh një vend të errët dhe të lësh të hapur diafragmën në mënyrë që kur rrufeja të godasë, drita e saj të lërë gjurmë mbi filmin apo sensorin dixhital. Vetëm pas kësaj është e nevojshme të mbyllet diafragma menjëherë që fotoja të jetë e qartë. Në rast se pret që të godasë rrufeja që të shkrepësh aparatin, kuptohet që nuk e bën dot, sepse rrufeja godet shumë më shpejt nga sa mund të reagojë syri dhe gishti ynë.