Vrapi ka ekzistuar gjithmonë, por vitet e fundit duket se është kthyer në një trend global gjithnjë e më popullor. Edhe emra të mëdhenj të showbiz-it, si Harry Styles, i janë bashkuar këtij sporti, ku rikujtojmë se ish-anëtari i One Direction arriti një kohë më pak se tre orë në “Berlin Marathon 2025”  ku përshkroi 42.195 km.

Me sezonin e maratonave tani, trajneri personal dhe nutricionisti Joseph Webb ka ndarë për Metro UK disa udhëzime të dobishme mbi kohën që duhet t’i duhet një personi për të përfunduar rreth 1.6 kilometra (1 milje), në varësi të moshës.

Sipas tij, grupmosha 20–39 vjeç është më e shpejta, pasi në këtë periudhë trupi arrin kulmin e aftësisë për të përdorur oksigjen gjatë aktivitetit fizik. Po ashtu, këta persona kanë zakonisht rezistencë më të mirë të nyjeve dhe tendinave, ç’ka i ndihmon të vrapojnë më shpejt.

Kohët mesatare për rreth 1.6 km sipas moshës:

20–39 vjeç: 7 – 10 minuta
40–59 vjeç: 9 – 12 minuta
60+ vjeç: 11 – 15 minuta

Megjithëse me kalimin e moshës rikuperimi bëhet më i ngadaltë, Webb thekson se me qëndrueshmëri dhe stërvitje të rregullt, shumë persona mbi 60 vjeç mund të arrijnë kohë të ngjashme me ata në të 30-at.

Ai këshillon që kjo grupmoshë të mos jetë shumë e ashpër me veten:

“Ruajtja e formës aerobike, balancës dhe lëvizshmërisë së nyjeve duhet të jetë prioriteti, jo grumbullimi i kilometrave të shumtë.”

Sa shpesh duhet të vraponi? Frekuenca e stërvitjes ndryshon gjithashtu sipas moshës:

20–59 vjeç: rreth 3–5 herë në javë
60+ vjeç: maksimumi 2–3 herë në javë