Disa ditë më parë, imazhet e dy binjakeve “mono-mono” të lindura dhe të kapura për dore, kishin bërë xhiron e botës. Tani në të njëjtën klinikë “Akron General Hospital” në Ohajo, SHBA, ka ndodhur sërish: dy binjake të tjera “mono-mono”, kanë lindur të kapura për dore. Një ngjarje shumë e rrallë, që është përsëritur dy herë në të njëjtin vend brenda pak ditësh.
Binjakët “mono-mono”, ndajnë jo vetëm të njëjtën vezore, por edhe të njëjtën placentë dhe një lindje e tillë, është një fakt statistikor shumë i rrallë. Ndërkohë, drejtori i spitalit në fjalë, John Stewart, ka nënvizuar: “Mundësia që një ngjarje e tillë të mund të përsëritet në spitalin tonë, ishte mes një në një milion dhe një në dhjetë milionë”.
Mamaja, 24-vjeçarja Amanda Arnold, ka bërë lindje me operacion në javën e 32-të të saj: foshnjat janë mirë, por do të qëndrojnë në klinikë për disa javë, siç është e zakonshme për rastet e binjakëve që lindin në mënyrë të parakohshme.
17 maj, 2014 (gazeta-shqip.com)