Problemet me të folurin dhe ndryshimet në shikim mund të jenë ndër sinjalet e para të demencës me fillim të hershëm, paralajmërojnë ekspertët, duke theksuar se këto simptoma shpesh neglizhohen sepse nuk lidhen menjëherë me sëmundjen.

Demenca zakonisht konsiderohet një sëmundje e moshës së tretë, pasi shumica e rasteve diagnostikohen tek të moshuarit. Megjithatë, mjekët po raportojnë një rritje të rasteve të diagnostikuara para moshës 65-vjeçare, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas një analize të publikuar nga “The Conversation”, ekspertja e demencës me fillim të hershëm Molly Murray nga “University of the West of Scotland” shpjegon se shumë pacientë fillimisht përjetojnë probleme që lidhen me shikimin dhe perceptimin vizual.

Ajo thekson se rreth një e treta e personave me sëmundjen e Alzheimer, me fillim të hershëm, përballen me vështirësi në koordinim dhe në përpunimin e informacionit vizual.

Këto simptoma mund të shfaqen si:

-vështirësi në lexim,

-humbje orientimi në hapësirë,

-probleme gjatë veshjes apo aktiviteteve të përditshme,

-ngatërrim i objekteve ose distancave.

Ekspertët sqarojnë se këto probleme nuk lidhen domosdoshmërisht me shëndetin e syve, por me mënyrën se si truri përpunon informacionin vizual, duke i bërë ato simptoma neurologjike dhe jo okulistike.

Sipas specialistëve, ndërgjegjësimi për këto shenja është shumë i rëndësishëm, pasi diagnoza e hershme mund të ndihmojë në menaxhimin më të mirë të sëmundjes dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve.