Obeziteti te fëmijët dhe adoleshentët e moshës 5 deri në 19 vjeç është katërfishuar në mbarë botën që nga viti 1990. Të dhënat e fundit të publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë tregojnë një rritje të ndjeshme të përhapjes së obezitetit në këtë grupmoshë.

Sipas OBSH-së, në vitin 2024 rreth 170 milionë fëmijë dhe adoleshentë jetonin me obezitet. Prevalenca globale është rritur nga rreth 2% në vitin 1990 në 8% në vitin 2024.

Nga totali, rreth 70 milionë janë fëmijë të moshës 5-9 vjeç, ndërsa rreth 100 milionë janë adoleshentë 10-19 vjeç.

Shifrat janë publikuar së bashku me udhëzimet e reja të OBSH-së për trajtimin e obezitetit te fëmijët dhe adoleshentët. Organizata rekomandon që trajtimi të mbështetet fillimisht te ushqyerja e shëndetshme, aktiviteti fizik dhe ndryshimet afatgjata në stilin e jetesës.

Për fëmijët nga 0 deri në 9 vjeç, OBSH nuk rekomandon përdorimin e medikamenteve për humbje peshe, kirurgjinë bariatrike apo pajisjet për dobësim.

Ndërsa për adoleshentët 10-19 vjeç, medikamentet mund të merren në konsideratë vetëm në raste të caktuara dhe kur ndërhyrjet e mbikëqyrura për ndryshimin e stilit të jetesës nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme. Kirurgjia mund të shqyrtohet vetëm në raste të rënda dhe nën kushte të rrepta.

OBSH paralajmëron se obeziteti në moshë të hershme mund të rrisë rrezikun për sëmundje të rënda, përfshirë diabetin e tipit 2 dhe sëmundjet kardiovaskulare.

Pasojat mund të jenë edhe psikologjike. Fëmijët me obezitet mund të përballen me bullizëm dhe stigmatizim, si dhe me ankth, depresion dhe vetëvlerësim të ulët.

Për këtë arsye, OBSH thekson se trajtimi nuk duhet të përqendrohet vetëm te humbja e peshës, por te shëndeti dhe mirëqenia e përgjithshme e fëmijës. Organizata kërkon gjithashtu politika që ta bëjnë ushqimin e shëndetshëm dhe aktivitetin fizik më të aksesueshëm dhe më të përballueshëm për familjet.