Shimpanzetë konsumojnë ekuivalentin e të paktën një pijeje alkoolike në ditë, ndërsa hanë fruta të pjekura dhe në fermentim, thotë një studim që trajton një arsye të mundshme pse njerëzit tërhiqen nga alkooli.

Studimi, i kryer në zonat e egra të Afrikës ku jetojnë kafshët, mbështet teorinë se njerëzit mund të kenë trashëguar nga primatët një shije për alkoolin dhe aftësinë për ta metabolizuar atë edhe pse është toksik për ne.

Hulumtuesit mblodhën fruta që hanë shimpanzetë dhe matën përmbajtjen e tyre të etanolit, i cili prodhohet ndërsa sheqeri fermentohet.

Përmes sasisë së madhe të frutave që hanë shimpanzetë, studiuesit llogarisin se kafshët marrin rreth 14 gramë alkool në ditë.

Duke korrigjuar për madhësinë e trupit, është sikur shimpanzetë po pinë një gotë birrë në ditë, tha për AFP, Aleksey Maro, autori kryesor i studimit të botuar në revistën Science Advances.

“Nuk është një sasi e vogël alkooli, por shumë e holluar dhe më shumë e lidhur me ushqimin”-tha kandidati për doktoratë në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley.