Në dhjetor nuk përshëndetemi thuajse me asnjë nga perimet e nëntorit, veçse duhet të tregohemi të kujdesshëm me domatet.
Serrat vazhdojnë të prodhojnë, por shija e tyre tashmë është vetëm në kujtime.
Në dhjetor, vendin e nderit e zënë rrepat dhe më në fund portokallet e kuqe. Lakra e kuqe është gjithashtu në ditët e saj më të mira, por jo vetëm ajo.
E gjithë familja e lakrës është e këshillueshme të përdoret gjatë këtij muaji, që nga lakra e bardhë e cila është më familjare për ne, lulelakra, brokoli dhe gjithë çfarë gjeni në treg nga familja e tyre.
Lakrat e Brukselit janë ende të rralla në tregun shqiptar, por nëse i gjeni, mos u mendoni dy herë për t’i blerë e gatuar në gjellë apo sallatë.
Nga frutat gëzojuni portokalleve të kuqe dhe për pak kohë shijoni hurmat “e dyta”, tashmë jo me farë por të qullëta.
Zgjasin shumë pak, sikurse edhe shegët që i kanë ditët e numëruara.
Gështenjat dhe frutat e thata janë një tjetër kënaqësi e dhjetorit.



