Një ilaç eksperimental kundër kancerit të pankreasit po konsiderohet si një nga zhvillimet më premtuese të viteve të fundit, pasi rezultatet e para të provave klinike tregojnë se mund të zgjasë ndjeshëm jetën e pacientëve.

Ilaçi, i quajtur Daraxonrasib, është testuar te rreth 500 pacientë në një studim të fazës së vonë. Sipas rezultateve, pacientët që morën ilaçin së bashku me kimioterapi mbijetuan mesatarisht 13.2 muaj, krahasuar me 6.7 muaj për ata që trajtoheshin vetëm me kimioterapi.

Studiuesit thonë se ky është një nga trajtimet e para që po tregon përfitime reale mbijetese për pacientët me kancer pankreasi, një nga format më agresive dhe më të vështira për t’u trajtuar.

Ilaçi synon një mutacion specifik të proteinës KRAS, e cila lidhet me më shumë se 90% të rasteve të kancerit të pankreasit, por edhe me forma të tjera të kancerit si ai i mushkërive dhe zorrës së trashë.

Për dekada, shkencëtarët besonin se kjo proteinë ishte pothuajse “e patrajtueshme” për shkak të strukturës së saj komplekse. Megjithatë, daraxonrasib funksionon përmes një mekanizmi të quajtur “ngjitës molekular”, duke bllokuar aktivitetin e proteinës KRAS dhe duke penguar zhvillimin e qelizave kancerogjene.

Megjithatë, trajtimi nuk vjen pa efekte anësore. Sipas raportimeve, rreth 96% e pacientëve në provat e hershme përjetuan simptoma si skuqje të lëkurës, plagë në gojë, të përziera dhe diarre.

Rreth 30% patën reagime më të rënda, por studiuesit vlerësojnë se përfitimet potenciale tejkalojnë rreziqet.

Ndërkohë, U.S. Food and Drug Administration (FDA) e ka futur ilaçin në proces të përshpejtuar miratimi dhe ka autorizuar akses të zgjeruar për pacientët jashtë provave klinike.

Kompania farmaceutike “Revolution Medicines” po punon për ta bërë trajtimin sa më shpejt të disponueshëm, ndërsa ekspertët e konsiderojnë këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm në luftën kundër një prej kancereve më vdekjeprurëse në botë. /TAR/