Danimarka ndodhet në Evropën Veriore dhe pika e saj më e lartë natyrore arrin vetëm 170.86 metra mbi nivelin e detit. Ky vend ka majën më të lartë natyrore të quajtur Møllehøj, me lartësi 170.86 metra. Pikërisht në këtë vend ndodhet edhe një kullë karakteristike, 13 metra e lartë, e ndërtuar në vitin 1924 si monument për ribashkimin e Jyllandit me Danimarkën. Nga maja e saj shtrihet një pamje madhështore e peizazheve të formuara gjatë periudhës së fundit akullnajore. Në ditë të kthjellëta, mund të shihet edhe ishulli Samsø, si dhe ura mbi ngushticën Lillebælt.

Një analizë e fundit ka treguar se “magjike” Danimarka ka 607 kilometra katrorë rrafshnalta baticore. Peizazhi i këtij vendi të Evropës Veriore me klimë të butë, dimra të lagësht e me erë dhe vera të freskëta, është kryesisht i sheshtë, i modeluar nga akullnajat e lashta, me disa fusha paksa të valëzuara. Megjithëse Møllehøj njihet zyrtarisht si pika më e lartë e Danimarkës, shumëkush mendon se titulli duhet t’i përkasë Ejer Bavnehøj (Jding Skovhøj), që arrin 172.54 metra mbi nivelin e detit. Në majën e tij ndodhen tre tuma të epokës së bronzit, por studiuesit debatojnë nëse ato janë të krijuara natyrshëm apo janë struktura të ndërtuara nga njeriu. Për këtë arsye, ato nuk janë shpallur si pika më e lartë natyrore e Danimarkës.

Danimarka nuk është i vetmi vend në Evropë pa male të larta. Edhe Holanda, Estonia, Letonia dhe Lituania kanë terrene kryesisht të rrafshëta. A e dinit se më shumë se gjysma e Holandës ndodhet më pak se 1 metër mbi nivelin e detit? Male ose kodra të ulëta mund të shihen vetëm në jug, pranë Ardeneve. Pika më e ulët e Holandës është Zuidplaspolder (Nieuwerkerk aan den IJssel), e cila shtrihet 7 metra nën nivelin e detit, ndërsa më e larta është Vaalserberg, me 322.7 metra lartësi. Prania e shumë lumenjve ka ndikuar në formimin e peizazheve të rrafshëta të Evropës Veriore. Holanda, e cila ka 1.025 kilometra katrorë rrafshnalta baticore, ka ndërtuar një sistem të gjerë digash, argjinaturash dhe dunash për t’u mbrojtur nga përmbytjet, të cilat shpesh vijnë nga veriperëndimi gjatë stinës së vjeshtës.