Nëse jeni ndier ndonjëherë “keq nga stomaku” për shkak të stresit, nuk është vetëm në mendjen tuaj. Sipas studimeve të fundit në neuroshkencë dhe psikologji, ankthi nuk mbetet vetëm tek emocionet, ai shpesh “trupëzohet”, duke u shfaqur si simptoma fizike si dhimbje barku, rrahje të shpejta zemre, djersitje apo lodhje e vazhdueshme.
Mjekët shpjegojnë se kur jemi të stresuar, aktivizohet sistemi “lufto ose ik” (fight or flight).
Trupi çliron hormonë si adrenalina dhe kortizoli, të cilët ndikojnë në zemër, frymëmarrje, muskuj dhe madje në tretje. Kjo është arsyeja pse shumë njerëz me ankth raportojnë:
-dhimbje barku apo nervozizëm në stomak,
-rrahje të forta zemre,
-dridhje, djersitje, ndjesi marramendjeje,
-lodhje, edhe kur nuk kanë bërë ndonjë aktivitet fizik.
Psikiatrit dhe mjekët e familjes po e hasin gjithnjë e më shpesh këtë tablo: pacientë që shkojnë për analiza për zemrën apo stomakun, por në fund zbulohet se “shkaku i padukshëm” është ankthi i patrajtuar.
Ekspertët theksojnë se kjo nuk do të thotë që simptomat janë “të sajuara” përkundrazi, ato janë reale, vetëm se nisja e tyre është psikologjike, jo organike. Për shumë njerëz, mjekimi më i mirë është kombinimi i:
-terapive psikologjike (si terapia kognitive-sjellore),
-teknikave të rregullimit të stresit (frymëmarrje e thellë, yoga, aktivitet fizik),
-dhe në disa raste, medikamenteve të përshkruara nga mjeku.
Mjekët këshillojnë që nëse simptomat fizike shfaqen shpesh në momente stresi, para provimeve, takimeve të rëndësishme, konflikteve në familje, ia vlen të flisni me një profesionist për të kuptuar nëse pas tyre fshihet ankthi.



