Teknologji – Sot, një risi në fluturim; dronët premtojnë që nesër të bëhen një mjet shumë i rëndësishëm për synime nga më të ndryshmet, nga transporti i mallrave, deri te spërkatja e fushave për fermerët 



Kur regjisori George Lucas bëri të njohur doridët, – robotët e projektuar për të përmbushur çdo nevojë të njerëzimit – në filmin e vitit 1977 te “Lufta e Yjeve: Një shpresë e re”, këta ngjanin si një e ardhme fantastiko-shkencore.


Rreth 40 vjet më vonë, ideja e kamerave mbikëqyrëse që fluturojnë, shoqëruesve robotikë dhe mjeteve fluturuese që transportojnë furnizime nëpër planet, po bëhet disi e zakonshme.


Postimi i parë me dron në SHBA ndodhi këtë verë, duke hapur siparin e një teknologjie të re. Kompania e njohur Amazon, shpreson që të jetë në gjendje t’i shpërndajë produktet e saj përmes dronëve.


Një partneritet i australianit Flirtey, me Virginia Tech dhe NASA, përdori një dron për të transportuar furnizime mjekësore prej 4.5 kilogramësh nga një fushë avioni në Virxhinia drejt një klinike periferike, një milje më tej, në 3 minuta fluturim. Ky qe një moment historik për teknologjinë dhe sfidoi haptazi idetë e kompanive të fushës së shitjeve.


Por Amazon nuk është e vetmja kompani që do të përdorë dronë. Edhe Facebook, ka kërkuar leje për të përdorur dronin e vet me panel diellor, Aquila, për t’u ngjitur 10 deri në 48 kilometra mbi sipërfaqen e tokës për të shpërndarë internet edhe në cepat më të largët të botës.


Një program i ngjashëm me dronë është në fazë testimi nga Google në Nju Meksiko, SHBA, ndërsa kompania po zhvillon një shërbim postar të ngjashëm me atë të Amazon për konkurrencë.


Sipas ekspertëve, dronët kanë një të ardhme më të ndritur sesa thjesht të qenët ‘postierë’. Ata kanë mundësinë të filmojnë imazhe të cilësisë së lartë dhe të bëjnë skanime, ndërsa industria e tyre do të mund të gjenerojë deri në 90 miliardë dollarë brenda kësaj dekade.


Dronët mund të ndihmojnë fermerët të hedhin fertilizuesit e tyre. Ata mund t’u mundësojnë kompanive energjetike të monitorojnë infrastrukturën e tyre. Dronët gjithashtu mund t’i ndihmojnë skuadrat e ndihmës së shpejtë të krijojnë një hartë të dëmit pas një katastrofe natyrore.


Është e vërtetë se teknologjia është ende në hapat e saj të parë, por potencialet e dronëve janë të pafundmë.


Rregullimet ligjore për dronët


Deri këtë vit, rregullimet strikte frenuan industrinë e dronëve. Por në shkurt, në SHBA u vendos që të lejohej qarkullimi i dronëve të vegjël komercialë që peshojnë më pak se 25 kilogramë. Ata do të lejohen të fluturojnë vetëm gjatë ditës. Rregullimi do të hyjë në fuqi në verën e vitit të ardhshëm, por autoriteti përkatës ka lejuar 2000 përjashtime deri tani, një hap ky mjaft pozitiv, sipas kompanive.


Por përveç rregullimit disi strikt të SHBA-së, Kanadaja dhe Zvicra për shembull, kanë rregulla më të lirshme.


Parashikimet për fitimet që do të sjellë industria e dronëve, variojnë. Disa mendojnë se për vitin 2015, dronët joushtarakë do të sjellin rreth 200 milionë deri në 400 milionë dollarë të ardhura. Por parashikimet afatgjata janë më optimiste, ku vlerësohet se dronët komercialë do të bëhen një industri një miliardë dollarëshe në vitin 2020.


Bazuar në llojet e iniciativave që janë lejuar më së shumti të qarkullojnë, dronët e përdorur për filmime, video dhe fotografi, kanë më tepër gjasa të udhëheqin revolucionin.


Vetë përparimi që po ndodh te dronët, mund të dallohet tek investimet që janë bërë në këtë fushë nga janari deri në maj të vitit 2015 vetëm në SHBA. Pra, janë shpenzuar rreth 172 milionë dollarë për dronë, një shifër që i kalon pesë vitet e mëparshme të marra së bashku.


Pengesat e trafikut


Një industri në lulëzim sjell edhe sfidën e integrimit të mijëra pajisjeve të reja fluturuese në hapësirën ajrore kombëtare. Në këtë aspekt, dronët, me shumë gjasa, do të ndajnë hapësirën nën 152 metra me helikopterët dhe mjetet fluturuese të spërkatjes.


Megjithatë, përmasa e vogël e dronëve i bën ata të vështirë për t’u hasur në radar, gjë që ngre një sfidë në menaxhimin e trafikut të kësaj hapësire ajrore.


NASA po punon për këtë problem në bashkëpunim me Google dhe Amazon dhe ka mundësi të krijojë një sistem gjurmimi që do t’i lejojë kullës së kontrollit të gjurmojë trafikun e dronëve dhe do t’u dërgojë këtyre të dhëna për itinerarin, motin dhe lejet e fluturimit.


Ndërsa zhvillimi gjithnjë e më i madh i dronëve nxjerr në pah nevojën për kontroll të trafikut të tyre, efekti i vëzhgimit të çdo lëvizjeje të dronëve, i ka vënë shumë kompani dhe persona në dyshime.


Burimi: MSN