Përpjekja për të kuptuar se si do të reagonte njerëzimi ndaj një mesazhi nga alienët ka qenë një temë e diskutuar për vite me radhë. Në vitet 1970, NASA dërgoi sinjale radio përmes rrjetit Deep Space Network, të cilat mund të kapen nga alienët – nëse ekzistojnë. Përgjigjet e mundshme nga ata mund të mbërrijnë në Tokë deri në vitin 2029 dhe të pranohen nga teleskopët kryesorë si Very Large Array (VLA) në SHBA, FAST në Kinë dhe Parkes Telescope në Australi.
Sipas Sylvester Kaczmarek, një ish-ekspert i NASA-s, ende nuk ka një protokoll të miratuar globalisht për mënyrën e përgjigjes ndaj një mesazhi të tillë. Organizata si Search for Extraterrestrial Intelligence (SETI) kanë propozuar disa metoda veprimi, por çdo reagim do të kërkonte analiza të gjata dhe shumëfish konfirmimesh, që mund të zgjasin javë apo muaj.
Në javën e parë pas identifikimit të një mesazhi jashtëtokësor, shkencëtarët do të informonin organizatat ndërkombëtare dhe qeveritë kryesore. Në këtë fazë, qeveritë me programe të avancuara hapësinore, si SHBA, do të përfshiheshin menjëherë. Megjithatë, Kaczmarek paralajmëron për sfidat që mund të lindin nga interesat e ndryshme kombëtare para krijimit të një strategjie të përbashkët globale.
Në javën e dytë, roli i Kombeve të Bashkuara, veçanërisht i Zyrës për Çështje të Hapësirës së Jashtme (UNOOSA), do të ishte qendror. Kjo zyrë ka përvojë me traktatet për bashkëpunimin ndërkombëtar në hapësirë, si Traktati i Hapësirës së Jashtme i vitit 1967, por transparenca mund të vonohet për arsye gjeopolitike apo të sigurisë.
Në javën e tretë dhe më tej, shkencëtarët dhe qeveritë do të analizojnë vendndodhjen e sinjalit dhe do të diskutojnë për mënyrën më të mirë të përgjigjes. Nëse kontakti ndodh përmes një anijeje kozmike, përgjigjja do të ishte e menjëhershme, ndërsa një sinjal nga hapësira e largët do të kërkonte planifikim të kujdesshëm dhe afatgjatë.
Ky proces kompleks do të kërkonte bashkëpunim global dhe qasje të matur për të siguruar një përgjigje të përgjegjshme ndaj një ngjarjeje të tillë historike.



