I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë teologu Vladimir Kera. Ai ka folur më shumë për festën e Kurban Bajramit, rëndësinë e saj, si dhe ritet që bëjnë besimtarët…

Si festohet dita e Kurban Bajramit?

Është festë, por dhe një kulturë në vetvete, ka një traditë. Ajo që kërkohet, është që në mëngjes herët kur ne dalim për faljen, e para njëherë dalim agjërueshëm. Pra, nuk konsumojmë asgjë. Është për traditë, është për fe, që nuk konsumohet gjë kur dilet nga shtëpia. Të gjithë dalin agjërueshëm, pasi kryhet falja, konsumojnë diçka. E dyta, pëlqehet shumë që të vishen rrobat më të mira që kanë njerëzit, është e pëlqyeshme. Dhe të parfumosur, kështu ka këshilluar profeti: “Duhet të parfumoseni dhe të vishni rrobat më të mira që keni” – thotë. E treta, të merren fëmijët dhe gratë me vete, pra familjarët, edhe nëse nuk falen, le të jenë prezent. Nuk ka rëndësi a falen apo nuk falen, le të jenë në këtë kolektiv të gjerë. Pastaj pas faljes, preferohen vizitat, pra është urimi tek njëri-tjetri, siç e ka edhe komuniteti që bën pritjen e vet, por është nga gjërat e pëlqyeshme fetare që të bëhen vizitat.

Ka dhe pëlqyeshmëri që të shkohet e të vizitohen varrezat, tek të dashurit ose të afërmit, ditën e Kurban Bajramit. Pëlqehet që të shkohet, nëse është hapësira dhe mundësia. Nëse jo fizikisht, mund t’i kujtojmë me ndonjë lëmoshë për të varfërit, me ndonjë lutje për to. Sepse kështu thotë profeti Muhamed: Kur vdes një njeri, çdo gjë shkëputet, vetëm tri gjëra nuk shkëputen, një fëmijë i mirë që lutet për të, një punë e mirë që ai ka bërë që njerëzit përfitojnë nga ajo, ose një vepër të cilën sa herë kalojnë njerëzit aty, marrin nga bekimi ose mirësia e saj. Pra, këto janë tre gjëra që nuk i shkëputen kurrë njeriut nga mirësia e tyre. Dhe ne mund të lutemi për prindërit ose mund t’i vizitojmë, pra pëlqehet edhe vizita. I kujtojmë pra, në këtë ditë gëzimi për ne. Nuk e shkëpusim gëzimin edhe me ato, pavarësisht se nuk janë më fizikisht. /TAR/