Stresi pandemik, përqendrimi te fytyra gjatë bisedave online dhe komoditeti i fshehjes nën një maskë, po nxisin një bum të kirurgjisë estetike në Shqipëri. Në një artikull, ku shkruan për lulëzimin e kirurgjisë plastike në vendin tonë, agjencia e lajmeve “AFP”, vë alarmin se po ashtu, ka klinika aspak profesionale, që po i mashtrojnë dhe po vënë në rrezik pacientët.

Sipas mjekëve, mbitensioni është nxitur nga kërkesa e grave të reja, duke sjellë edhe shembullin e një studenteje 20 vjeç, e cila bëri një ndërhyrje te buzët e saj në dhjetor.

“Sa herë që shikoja fytyrën time në ekran, nuk mund të thosha asnjë fjalë, më kapte ankthi. Mendoj se kisha rrathë të zi të shëmtuar poshtë syve, hunda ishte shumë e madhe dhe buzët shumë të holla, një fatkeqësie e vërtetë”, ka thënë ajo.

Pas një operacioni për të rritur vëllimin e buzëve, ajo duket se është e kënaqur me rezultatin.

Por duke përmendur ekonominë informate, “AFP” shkruan se shumë pacientë po joshen nga qendra joprofesionale, të cilat po reklamojnë çmime shumë të lira.

Operatorë të pakualifikuar

Sallone të reja po shfaqen çdo ditë me oferta për një sërë trajtimesh pa aprovim ose mbikëqyrje mjekësore, tha Dr Monika Fida, profesore në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë.

Djegie dhe shenja

Eva Kola, një studente 21-vjeçare, i besoi një salloni që ndiqte në Instagram. Ajo pagoi 20 euro për të fshirë inicialet e ish-të dashurit të saj që i kishte bërë tatuazh në gisht. Por gjërat nuk shkuan siç ajo do të donte.

“Për një javë jeta ime ka qenë ferr”, tha ajo, pasi lazeri i kalibruar keq shkaktoi një djegie të shkallës së tretë dhe një reaksion alergjik.

Për pasojë, ajo vuajti për një javë nga ethet dhe dhimbje të padurueshme të krahut.

Sektori i kozmetikës në Shqipëri supozohet të rregullohet nga një ligj i vitit 2017, por mjekët thonë se është shumë e paqartë, duke mos specifikuar se kush mund të kryejë këto ndërhyrje, cilat trajtime lejohen dhe me cilat produkte dhe pajisje.

“Duhet të ketë një kornizë rregullatore të rreptë ku të gjitha procedurat profesionale dhe të gjitha lidhjet në këtë zinxhir janë të detajuara qartë”, i  tha AFP presidenti i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, Dr Fatmir Brahimaj.

Ndërhyrjet në hundë u dyfishuan

Mjekët thonë se trajtimet më të kërkuara gjatë pandemisë janë injeksionet me botox, ngritje të fytyrës dhe po ashtu edhe operacionet e vitheve dhe të gjoksit.

Po ashtu, shumë e kërkuar është edhe ndërhyrja në hundë.

“Trendi është i qartë. Operacionet e hundës janë pothuajse dyfishuar që nga fundi i masave të bllokimit në korrik”, tha dr Balloma.

“Kirurgjia kozmetike shihet si një komoditet, një mënyrë për të lehtësuar pasigurinë e jetës sonë të përditshme “, shtoi ai.

Jorida Zegali, psikologe klinike në Universitetin e Tiranës, thotë se “presioni i komunikimit virtual” ka rritur përqendrimin te paraqitje, duke u bërë një “fiksim”.

Nertila Rrahmani, 31 vjeç, është një manikyriste në Milano, por u kthye në Tiranë për t’iu nënshtruar një operacioni në hundë sepse po përjetonte probleme me frymëmarrjen.

Ajo gjithashtu shfrytëzoi rastin për të rregulluar formën e hundës e po ashtu edhe të veshëve,

Ende me fasha pas operacionit, ajo shpjegoi se operacioni “do të më lejojë të heq qafe shqetësimin psikologjik me të cilin kam ngecur prej vitesh”.

“Pavarësisht nga gjithçka,” shtoi ajo, “pandemia nuk ka qenë në gjendje të parandalojë njerëzit që ta duan veten dhe të përmirësojnë pamjen e tyre përmes trajtimeve estetike për t’i bërë ata të ndihen edhe më të bukur”.