Ndarja e përgjegjësive për punët e shtëpisë mund të ndikojë edhe në kënaqësinë në çift.
Studimet tregojnë se barra mendore e organizimit të jetës familjare bie më shpesh mbi gratë.
Harrojini qirinjtë aromatikë dhe darkat e shtrenjta. Një nga mënyrat për të mbajtur gjallë marrëdhënien në çift mund të jetë shumë më e thjeshtë, të dish vetë se kur duhet të nxirren mbeturinat.
Sipas The Times një sërë studimesh psikologjike, nuk është vetëm ndarja e punëve të shtëpisë ajo që ndikon në marrëdhënie. Rëndësi të madhe ka edhe “barra mendore”, pra përgjegjësia për të kujtuar, planifikuar dhe organizuar gjithçka që duhet bërë në familje.
Kjo përfshin gjëra të përditshme, si rezervimi i vizitave te dentisti për fëmijët, organizimi i aktiviteteve të tyre, kujdesi për rrobat që duhen larë apo edhe kujtimi se kur është dita për të nxjerrë mbeturinat.
Gratë mbajnë më shpesh barrën mendore
Një studim i fundit, i udhëhequr nga psikologia Verena Klein nga Universiteti i Southamptonit, ka shqyrtuar mënyrën se si çiftet ndajnë këtë përgjegjësi.
Studiuesit anketuan 452 gra britanike që jetonin me partnerë meshkuj, si dhe 156 çifte heteroseksuale në Britani dhe Shtetet e Bashkuara.
Rezultati ishte i qartë, gratë në shumicën dërrmuese të rasteve mbanin një pjesë më të madhe të barrës mendore të familjes.
Sipas studiuesve, më e rëndësishmja është se edhe burrat ishin në dijeni të kësaj pabarazie.
“Pabarazia ishte shumë e qartë. Nuk ishte thjesht një perceptim i grave që burrat nuk e shihnin. Të dy partnerët raportonin të njëjtën gjë”, tha Klein.
Nuk ka rëndësi vetëm kush i bën punët
Studimi tregon se për gratë, mënyra se si ndahet barra mendore kishte lidhje më të fortë me kënaqësinë në marrëdhënie sesa vetë fakti se kush i kryente fizikisht punët e shtëpisë.
Me fjalë të tjera, një partner mund të vendosë rrobat në lavatriçe, por partneri tjetër mund të jetë ai që duhet të kujtojë se kur duhet të lahen, të blejë detergjentin dhe të organizojë pjesën tjetër të punëve të shtëpisë.
Gratë raportuan kënaqësi më të madhe në marrëdhënie kur përgjegjësitë mendore ndaheshin në mënyrë më të barabartë.
Për burrat, megjithatë, rezultati ishte i kundërt, ata raportuan kënaqësi më të madhe kur partneret e tyre mbanin një pjesë më të madhe të kësaj barre.
Organizimi i jetës familjare mund të ndikojë edhe në jetën seksuale
Studimi gjeti gjithashtu se gratë raportonin kënaqësi më të madhe seksuale kur partnerët e tyre merrnin më shumë përgjegjësi për aspektet emocionale dhe organizative të marrëdhënies, si planifikimi i aktiviteteve romantike apo rasteve të veçanta.
Edhe studime të tjera kanë gjetur një lidhje mes mënyrës se si ndahen punët e shtëpisë dhe kënaqësisë seksuale.
Në vitin 2022, një ekip studiuesish nga Universiteti Queen’s në Ontario analizoi më shumë se 1,000 nëna. Gratë që kryenin një pjesë më të madhe të punëve të shtëpisë raportonin më pak dëshirë seksuale ndaj partnerit.
Ndër faktorët që ndikonin më shumë në uljen e dëshirës ishin partnerët që nuk merrnin përsipër detyrat që lidhen me fëmijët dhe ata që nuk kontribuonin mjaftueshëm në organizimin e jetës sociale dhe familjare.
Studiuesit sugjeruan se kjo mund të ndikojë në dëshirën seksuale sepse gratë mund t’i perceptojnë partnerët e tyre më shumë si persona që varen prej tyre sesa si partnerë të barabartë.
Çiftet që ndajnë punët raportojnë më shumë kënaqësi
Një tjetër studim, i udhëhequr këtë vit nga Universiteti i Colorado Boulder, gjeti se pabarazia në punët e shtëpisë lidhej më shpesh me uljen e dëshirës seksuale te gratë që kishin pikëpamje më të barabarta për rolet e burrave dhe grave.
Ndërkohë, një studim i Universitetit të Kalifornisë në Los Anxhelos, UCLA, ku morën pjesë rreth 3,500 të rritur amerikanë, arriti në një përfundim të ngjashëm.
Personat që ishin më të kënaqur me mënyrën se si ndaheshin punët e shtëpisë raportuan gjithashtu kënaqësi më të madhe në marrëdhënie dhe në jetën seksuale.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se këto rezultate nuk provojnë se ndarja e punëve të shtëpisë shkakton drejtpërdrejt një jetë seksuale më të mirë. Studimet tregojnë lidhje mes këtyre faktorëve, por nuk provojnë shkakësinë.
Madje, është e mundur që çiftet që janë më të lumtur në marrëdhënien e tyre të jenë edhe më të aftë për të organizuar jetën së bashku.
“Të kujtosh se duhet bërë” është gjithashtu një punë
Sipas psikologes Klein, mesazhi kryesor është të mos nënvlerësohet barra mendore.
Të nxjerrësh mbeturinat është një detyrë. Por të jesh personi që duhet të kujtojë se kur është dita e mbeturinave është një tjetër përgjegjësi. Nëse njëri partner duhet t’i kujtojë vazhdimisht tjetrit se çfarë duhet bërë, atëherë ai ende po mban një pjesë të barrës mendore.
Në fund të fundit, ndarja e punëve në një marrëdhënie nuk lidhet vetëm me kush e bën punën, por edhe me kush duhet të mendojë për të.
