Nga Shtetet e Bashkuara vjen një metodë për të komunikuar me fëmijët para se të fillojnë të flasin, një lloj gjuhe lidhëse mes kohës kur foshnja nuk flet asnjë fjalë dhe asaj kur mëson të flasë, duke përdorur gjuhën e shenjave


Sa herë ka ndodhur që ta pyesni veten “pse?” para një fëmije që vetëm qan; sa herë jeni munduar të pushoni së qari një fëmijë në mes të natës, duke kërkuar një përgjigje mes pyetjeve: mos ka uri apo etje, ka vapë apo ftohtë? Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku gjuha e fëmijëve përdoret nëpër kopshte dhe është monitoruar nga “American Academy of Pediatrics” (Akademia Amerikane e Pediatrisë), vjen një metodë e re komunikimi me fëmijët para se të fillojnë të flasin. Kjo mënyrë është një lloj ure lidhëse ndërmjet kohës kur fëmija nuk shprehet me fjalë dhe asaj kur mëson të shprehet. I pari që e mori këtë nismë ishte Joseph Garcia, që në fund të viteve ’80, kuptoi sesi gjuha e shenjave e personave që nuk dëgjojnë mund të ishte një mjet i vlefshëm komunikimi edhe për personat që nuk flisnin. Por ajo që e futi për herë të parë nën formën e guidës praktike është Nancy Cadjan, që me librin e titulluar “Mami fol me mua”, ka krijuar një manual komplet të gjuhës së shenjave, i cili ilustron në detaj efektet pozitive mbi prindërit dhe fëmijët, sqaron të gjitha dyshimet (bindja më e përhapur është: në qoftë se mëson të shprehet me shenja, a do të arrijë të flasë me gojë?) dhe jep udhëzime për përdorimin, në bazë të ndarjes së grupmoshave: nga muajt e parë të jetës e deri në moshën 2-vjeçare, kur pak nga pak gjuha e shenjave zëvendësohet nga ajo verbale. “Gjuha e shenjave është e lehtë dhe shumë argëtuese si për fëmijët ashtu edhe prindërit, sidomos për këta të fundit, pasi përmes shenjave do të arrijnë të kuptojnë një pjesë të madhe të nevojave të fëmijës”, shpjegon Cadjan. Kur fëmijët dhe prindërit merren vesh me njëri-tjetrin të gjithë janë të lumtur e të gëzuar.


Përveç kësaj, fëmijët që përdorin gjuhën e shenjave, duke qenë të nxitur për të komunikuar, fillojnë të flasin më shpejt dhe me një fjalor shumë të pasur madje. Jo më kot këta fëmijë janë më të interesuar dhe më të zotë në lexim, ndiejnë më shumë siguri në vetvete, sepse mund t’i shprehim nevojat e tyre; janë më të dashur, më të vlerësuar, më të qetë, flenë më shumë dhe më mirë.


Një kapitull i veçantë i librit u është kushtuar fëmijëve me aftësi të kufizuara, pra rasteve kur ka vonesa në të folur: në fakt për disa çrregullime, si sindroma down, autizmi dhe vonesa konjunktive, gjuha e shenjave mund të jetë një ndihmë e vlefshme për komunikimin. “Përdorimi i shenjave me fëmijët me aftësi të kufizuar mund të hapë një dritare në botën e tyre. Në qoftë se bebja është normale, gjuha e shenjave mund të shndërrohet në një eksperiencë të mrekullueshme për të dyja palët”, shton autorja.


Mungesa e të folurës, e metë apo përtesë?


Jo gjithmonë kur fëmija është shumë i heshtur prindërit duhet të alarmohen. Para se një fëmijë të flasë me vonesë, duhet të merren në konsideratë disa këshilla praktike. E para dhe më e rëndësishmja është rritja. Ka një moment si për të folur ashtu edhe për të ecur; si për të mësuar, ashtu edhe për të ngrënë. Çdo nënë i di me së mbyllur këto faza dhe prandaj nuk ja ndan sytë zhvillimit të fëmijës. Ato i presin me padurim dhe ankth fjalët e para, madje ndonjëherë e harrojnë fakti që mësimi i gjuhës është një rrugëtim, i cili karakterizohet nga faza të ndryshme dhe të ndërlikuara. Kjo është edhe arsyeja që gjendja ndryshon nga një fëmijë te tjetri.


Siç u theksua edhe më lart, fëmijët nuk janë të gjithë njësoj: ka nga ata që mësojnë të flasin më herët dhe të tjerë që flasin më me vonesë. Pyetja që shtrohet në këtë rast është: përse? Para se të mendoni për një vonesë në zhvillim, duhet të verifikoni nëse bëhet fjalë për ndonjë “pengesë” të kapërcyeshme. Në këtë rast, mund të bëhet fjalë për përtacinë. Në qoftë se nevojat e tij plotësohen para se të lëshojë ndonjë tingull, atëherë duhet të ndryshoni taktikë. Nxiteni fëmijën që të flasë dhe do të shihni, se gjërat do të ndryshojnë. Fëmijët janë si sfungjer, vetëm thithin dhe nëse nuk ngacmohen vazhdimisht, asnjëherë nuk do të mësojnë shpejt. Lojërat dhe muzika janë aleatët tuaj më të çmuar.