Këshilla – Mos ndoshta gjatë verës keni marrë ndonjë kile më shumë? Lexoni guidën tonë për të përmirësuar siluetën tuaj
Zakonisht gjithçka vërehet nga ndryshimi i veshjeve sapo ktheheni nga pushimet: mjafton të vishni një palë xhinse nga ato të para pushimeve, për të kuptuar qartë se sa jeni shëndoshur. Pra ndonjëherë veshjet e vjetra flasin më shumë sesa pasqyra dhe peshorja. Megjithatë, është e rastit që marrjen e kileve gjatë pushimeve ta merrni më me qetësi, pa u fiksuar dhe pa u alarmuar. Rregulli numër një është vendosja e një qëllimi të arritshëm për një kohë të caktuar. Për shembull: “brenda tri javëve, duhet të përmirësoj barkun apo kofshët”. Si? Sugjerimet i gjeni më poshtë:
Dietë e lehtë dhe pa yndyra
Për të paktën një muaj pas pushimeve, ridimensiononi porcionet e ushqimit, duke shpërndarë “grupet” e ushqimit. Preferoni proteinat, por pa hequr dorë plotësisht nga karbohidratet. Bukë dhe makarona? Zgjidhini integrale dhe në ditë të alternuara. Dietologët kanë rënë dakord se proteinat rrisin ndjenjën e ngopjes dhe mbajnë të ulët indeksin glicemik.
Drithërat integrale lehtësojnë funksionimin e zorrëve. Mund të hani gjithçka, duke ndenjur brenda 1200 kalorive, të ndara për një mëngjes të pasur, një drekë ushqyese dhe një darkë të varfër. Në mëngjes, brioshët dhe produktet e furrës zëvendësojini me drithëra integrale; në drekë dhe në darkë llogarisni të paktën një porcion frutash dhe perimesh të përgatitura në avull ose të ziera, të cilat do të mbushin stomakun tuaj; nga një vakt në tjetrin shuani urinë me kos pa yndyrë dhe sojë.
Ecni një orë në ditë
Përfitoni ende nga koha e bukur, për ta mbushur ditën tuaj me…hapa. Sipas disa studimeve të fundit, të përfshira në rekomandimet e OBSH-së për përmirësimin e shëndetit kardiovaskular, një orë ecje në ditë, qoftë edhe jo e vazhdueshme, ju ndihmon të qëndroni në formë: 60 minuta ecje në ditë janë të barabarta me 10.000 hapa. Vishni atlete të rehatshme gjimnastike dhe më pas jepuni këmbëve.
Ndihma që vjen nga aplikacionet
Dietat dhe aktivitetet fizike mund të mbesin thjesht teori derisa smartfoni juaj nuk ju lajmëron me tinguj të posaçëm për t’jua kujtuar ato. Ndaj për t’u motivuar edhe më shumë në telefonin tuaj instaloni ndonjë aplikacion për këtë rast. Mund të zgjidhni mes “numëroni-kaloritë”, “numëroni-hapat” ose “training fitness”: bëni një kërkim në Google Play nëse keni një Android ose në App Store nëse keni një I-Phone. Zgjidhni aplikacionin më të thjeshtë për t’u përdorur, i cili monitoron sesa kalori merrni çdo ditë, sa hapa bëni për t’i shpenzuar ato ose aplikacionin i cili ju sugjeron ushtrimet që duhet t’i ndiqni në shtëpi etj.
Thojini “jo” ëmbëlsirave dhe alkoolit
Këtë gjë duhet ta keni parasysh të paktën sa të keni arritur një linjë të pranueshme sipas standardeve tuaja. Ekstra ushqyesit si superalkoolikët, ëmbëlsirat kalorike në fund të vaktit, aperitivët absolutisht duhen braktisur nga çdo regjim dietik. Bëhet fjalë për kalori të padobishme, të cilat do të hedhin poshtë çdo progres të bërë deri në atë moment.
Thojini “po” lëngjeve të frutave dhe perimeve
Në regjimin tuaj dobësues nuk duhet të mungojnë lëngjet e freskëta të frutave dhe perimeve, të cilat do ta ndihmojnë organizmin të pastrohet nga toksinat ndërsa do ta hidratojnë atë.
Zgjidhni shkallët për të skalitur siluetën
Duhet t’u riktheheni zakoneve të përditshme paksa të lodhshme, për shembull atij të braktisjes së ashensorit. Ditë pas dite trupi juaj do të marrë formën që dëshironi, ndërsa ju do të ndiheni më të fortë fizikisht. Sipas studiuesve të spitalit universitar të Gjenevës, lëvizja poshtë dhe lart redukton 15% të rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare: kolesteroli ulet me 4%. Ndërkohë, për sa u përket linjave, është llogaritur se është e mjaftueshme të ngjisni disa shkallë në ditë për të humbur 3 kile në një vit.
“Sulmojeni” celulitin edhe pas pushimeve
Një nga gabimet më të mëdha, sapo vishni rrobat e vjeshtës dhe të dimrit, është mosvënia e kremit anticelulit, harresa për ta bërë këtë gjë. Ndaj vazhdoni të masazhoni me ndonjë krem të posaçëm këmbët dhe vithet, por edhe barkun nëse e keni të nevojshme. Mendoni sikur do të jeni gjithmonë në plazh.
N.A